Një mandat, asnjë njohje: Gërvalla merret me pagën minimale, “harron” disfatat e mëdha në diplomaci
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duket se i ka harrur përgjegjësitë që ka. Në mungesë të rezultateve në politike të jashtëm, kryediplomatja po merret me punë të brendshme të qeverisjes.
Derisa Qeveria Kurti II po shkon drejt fundit të mandatit, dështimet në diplomaci janë të mëdha. Gjatë këtij mandati, Republika e Kosovës nuk është njohur nga asnjë shtet dhe nuk është anëtarësuar në asnjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar. Dështimi më i madh i kësaj qeverie në politikë të jashtme po llogaritet mosanëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës.
Në kohen kur Kosova numëron dështimet në diplomaci, ministrja Gërvalla ka zgjedhur të merret me ngritjen e pagës minimale dhe me çështje tjera, që nuk i përkasin dikasterit të saj.
Në këtë mënyrë, ajo është krenuar me çështje që iu takojnë dikastereve ekonomike.
“Nga muaji tetor i këtij viti, asnjë i punësuar në Kosovë, pavarësisht sektorit apo vendit të punës, nuk do të paguhet më pak se 350 Euro në muaj për një orar të plotë pune. Sot, me vendimin që miratuam, kemi bërë realitet rritjen e pagës minimale, duke e çuar atë në 350 euro dhe duke e liruar plotësisht nga tatimi. Ky vendim prek drejtpërdrejt rreth 150 mijë punëtorë që aktualisht marrin më pak se 350 euro në muaj”, ka shkruar në profilin e saj në “Facebook”.
Me tej, ajo ka përmendur qeverisjen me duar të pastra, duke harrur se ajo vet ka aktakuzë të ngritur për mosdeklarim të pasurisë.
“Me këtë rritje të pagës minimale, mbështetjen ndaj familjeve, shtesat për fëmijë dhe politikat e tjera fiskale, rrisin edhe një herë mbështetjen për familjet dhe qytetarët tanë në punësim dhe mirëqenie. Na presin edhe shumë vendime të tjera që vijnë si rezultat i qeverisjes me duar të pastra dhe faqe të bardhë”, ka shkruar ajo.
Më pas, ajo është marrë me monitoruesit e zgjedhjeve, të cilët kanë kritikuar propozimet e MPJD-së që kanë të bëjnë me votimin e diasporës në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Zhurmaxhinjtë, të cilët kaq herët paska filluar t’i pengojë mundësimi i votimit të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës, i këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin. Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha kur për motive të ulëta politike, vota e mërgatës pamundësohej dhe gjymtohej deri në ekstrem”, ka shkruar ajo në një tjetër status në “Facebook”.
Në anën tjetër, njohësit e politikës së jashtme, ia kanë numëruar Gërvallës dështimet që ka besuar Kosova në këtë mandat.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka bërë me dijes se në këtë mandat Kosova nuk ka pranuar asnjë njohje dhe nuk është anëtarësuar në asnjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Çfarëdo që nuk arrihet gjatë tronditjes nga disfata, është gjithnjë e më e vështirë të arrihet më vonë! Disfata e politikës së jashtme të Kosovës është e matshme sepse për katër vite të një mandati të plotë nuk ka siguruar asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim të vetëm! Sot po e shoh ministrin e jashtëm serb në vizitë në Tonga, shtet që e ka njohur Kosovën gjatë mandatit tim, por, çka më brengos është që ai gjatë tërë verës e deri më sot, ka vizituar shumë shtete që e kanë njohur Kosovën nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine dhe fatkeqsisht, do shihen efektet e vizitës së tij! Opinioni publik nuk e di se ku është dhe çfarë bënë Ministrja e Jashtme e Kosovës?”, ka shkruar Hoxha në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, ia ka përmendur Qeverisë Kurti dështimin për t`u anëtarësuar në Këshill të Evropës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se kjo qeveri nuk mund ta bind askënd për njohje të reja apo për ndonjë anëtarësim.
“Republika e Kosovës e meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Pa asnjë dyshim. Puna është se Qeveria e Albin Kurtit / Vetëvendosjes nuk i ka bindur vendet kryesore se Kosova e meriton këtë anëtarësim. Qeveria e Vetëvendosjes nuk e bind askë. Përveç militantëve të vet, naryrisht”, ka shkruar Hamiti.