Një kapiten i marinës italiane dënohet me 30 vite burgim për shitje të sekreteve në Rusi
Një kapiten i marinës italiane u shpall fajtor të enjten dhe u dënua me 30 vite burgim për shitjen e sekreteve në Rusi. Ai u gjykua në një tribunal ushtarak.
Walter Biot, 56 vjeç, ishte arrestuar në vitin 2021, përderisa po i jepte informata një punëtori të ambasadës ruse në një parking automjetesh në Romë, raporton agjencia “Reuters”.
Më pas, Italia kishte dëbuar dy diplomatë rusë dhe e kishte akuzuar Biot-in për shitje të dokumenteve, përfshirë disa dokumente të klasifikuara të NATO-s, për pesë mijë euro.
Avokati i tij ka thënë se klienti nuk kishte dorëzuar asnjë dokument të ndjeshëm dhe njoftoi të enjten se do të paraqesë ankesë ndaj vendimit për dënimin me burgim të gjatë. Prokurori ushtarak kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarin.
“Biot-i tregoi sekrete dhe u kap në vepër. Ai shfaqi shkallë të lartë të pabesisë dhe të aftësisë kriminale, por edhe lakmi të mjerë”- tha prokurori të enjten.
Një gjykatë dha hollësi vitin e kaluar për disa prej akuzave kundër Biot-it, kur e kishte refuzuar kërkesën e tij për t’u liruar në pritje të gjykimit.
Gjykata tha se ai i kishte dhënë Rusisë një çip që përmbante 181 fotografi të dokumenteve e pamje nga kompjuteri i tij. Sipas gjykatës, 47 dokumente ishin me shenjën “sekrete të NATO-s” e 57 të tjera me shenjën “NATO, konficenciale”.
Mediet italiane kanë raportuar se në mesin e dokumenteve kishte të dhëna për luftën kundër militantëve islamistë në Libi e Siri.
Prokurorët kanë thënë se Biot-i ishte parë në kamera në tri raste të ndryshme në marsin e vitit 2021 duke bërë fotografi me telefonin e tij në ekranin e kompjuterit të zyrës.
Në kohën e arrestimit, Biot-i e kishte rangun e kapitenit të luftanijes, por ishte duke punuar në një departament të Ministrisë së Mbrojtjes për zhvillimin e politikave për siguri kombëtare dhe menaxhimin e marrëdhënieve me aleatët e Italisë.
Avokati i Biot-it ka thënë se klienti i tij nuk ka pasur motive ideologjike dhe se kurrë nuk ka dorëzuar dokumente që “do të mund t’i vinin në rrezik Italinë ose shtetet e tjera”.