Një javë ‘pushim’ për gjyqtarët serbë – a do të ketë ndonjë masë ndaj tyre?
Përgjatë gjithë javës, pjesa më e madhe e gjyqtarëve serbë që veprojnë në kuadër të Gjykatës së Mitrovicës, nuk kanë dalur në punë. Kjo si shenjë revolte për suspendimin e kryetares së gjykatës, Lilijana Stefanoviq pasi e njëjta mori pjesë në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një prononcim gjatë javës për gazetën Nacionale, nënkryetari i gjykatës në Mitrovicë, Bekim Veliqi e konfirmoi se gjyqtarët nuk po dalin në punë, përveç kur kanë raste urgjente. Për dallim prej tyre, stafi administrativ e kanë vazhduar punën normalisht.
“Stafi administrativ janë në punë, disa gjyqtarë kujdestaritë i kanë mbajtur. Ka gjyqtarë që janë në pushim. Situatën po e dini edhe ju”, kishte thënë Veliqi.
Një situatë e tillë vazhdoi përgjatë gjithë javës. Pjesa më e madhe e seancave u shtynë, e kjo bëri që kritika të kenë edhe avokatët të cilët nuk arritën t’i prezantojnë qëndrimet e tyre për tema të caktuara.
Gazeta Nacionale gjatë gjithë javës ka pritur një përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëse do të marrë ndonjë masë ndaj këtyre gjyqtarëve, megjithatë KGJK-ja nuk ka kthyer përgjigje. Edhe kryesuesi i këshillit, Albert Zogaj, nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.
Si duket presioni nga politika por edhe nga Bashkimi Evropian po e luan rolin e vet. Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano dje ishte i zëshëm që të zbatohet marrëveshja për drejtësi e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Procedurat disiplinore nuk janë pjesë e marrëveshjes. BE beson se autoritetet kompetente do të ndjekin procesin dhe procedurën e duhur lidhur me shqyrtimin e një rasti të tillë disiplinore. Në të njëjtën kohë, presim nga personeli i sistemit ligjor të Kosovës të veprojë në bazë të ligjeve dhe rregullave të Kosovës”, tha Stano.
“BE-ja pret që autoritetet kompetente të Kosovës, por edhe të Serbisë, të respektojnë të gjitha pjesët e kësaj marrëveshje”, shtoi ai.
E gjithë revolta e gjyqtarëve serbë ndërlidhet me shkarkimin e kryetares së gjykatës në Mitrovicë, Liljana Stefanoviq. Kjo pasi, Stefanoviq theu kodin etik të gjyqtarëve, duke marrë pjesë në një takim politik bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Si pasojë e shumë reagimeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës u detyrua të dalë me një reagim publik.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton opinionit publik, se në mbledhjen e 281-të ka vendosur për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nga pozita e saj si kryetare. Ky Vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për Kryetar të Gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve. Me këtë rast, KGJK thekson se, Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, znj. Stevanovicq. Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bën thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhej në komunikatë.
Ministri për kthim dhe komunitete, Goran Rakiq, në protestën e së premtes së kaluar kishte paralajmëruar edhe tërheqjen nga institucionet.
“Përveç qytetarëve serbë nëpër institucionet e tjera, pozitat do t’i ngrijnë edhe gjyqtarët dhe punëtorët e gjykatave. Edhe ne si përfaqësues politikë të serbëve do të suspendojmë veten nëpër institucione derisa gjyqtarja të kthehet në vendin e punës”, kishte thënë Rakiq.
Por serbët që punojnë në pozita të tjera shtëtërore, zyrtarë policorë, punëtorë të sigurimit apo në komuna, raportohet se janë duke dalë në vendet e tyre të punës si zakonisht.
Kjo nuk është hera e parë që gjyqtarët serbë po e bojkotojnë punën. Njëjtë kishte ndodhur edhe pas dënimit me burgim të ish-deputetit Ivan Todosijeviq, në lidhje me deklaratat e tij për masakrën e Reçakut. Pas dënimit, gjyqtarët serbë nuk kishin dalë në punë një ditë, dhe për këtë nuk kishte pasur asnjë masë nga institucionet përkatëse.