Një javë nga pranimi i dokumentit: Opozita ende pa qëndrim për draft-statutin e Asociacionit
Është bërë gati një javë që tri partitë opozitare e kanë pranuar zyrtarisht draftin-statutin e Asociacionit dhe ende nuk kanë dalë me qëndrim përfundimtar për këtë çështje.
Dokumenti në fjalë opozitës i është dorëzuar javën e kaluar nga BE-ja.
Zyrtarët e këtyre partive patën bërë me dije se qëndrimin e tyre përfundimtar rreth këtij dokumenti do ta japin pas pranimit zyrtar të draft-statutit.
Deri me tani vetëm AAK-ja ka bërë me dije se sot do të mbajë mbledhjen e Kryesisë për të diskutuar për këtë çështje.
Në njoftimin e kësaj partia është thënë se pas mbledhjes do të dilet me qëndrim zyrtare.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pranuar verzionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. I njëjti i është shpërndarë gjithë anëtarëve të kryesisë, nga të cilët është kërkuar t'i bëjnë komentet e tyre lidhur me draft-statutin dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e radhës së kryesisë së Aleancës, të thirrur për sot në ora 17:00. Pas mbledhjes së kryesisë, AAK do të dalë me qëndrim lidhur me draft-statutin.”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Ndërsa, PDK-ja dhe LDK-ja ende nuk dihet se kur do t`i mbledhin strukturat e tyre partiake për të diskutuar këtë çështje.
Ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur rezerva të mëdha për draftin-statutin e Asociacionit të cilin parimisht e ka pranua Qeveria e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se drafti flet për një autonomi e cila mund të rrëshqas drejt federalizimit.
“Çka ka drafti? Në termin më të thjesht është autonomi në evoluim. Do të thotë se mund të bëhet federalizim. Pra, është një trupë paralele me rendin kushtetues të Kosovës. E referuar normativa më të çuditshme, prej Rezolutës 12/44 e deri te Kushtetuta e Kosovës; e cila parasheh një trupë që merr kompetenca ekzekutive; të gjitha kompetencat ekzekutive. Thotë që nuk do të merr kompetenca shtesë përveç këtyre që janë”, ka thënë ai për emisionin Pressing.
Sipas tij, ky dokument është i rrezikshme për Kosovën.
“Në këto kompetenca të reja që kjo autonomi i merr, shtron kontrollin e plotë: të mbikëqyrjes, të rregullimit, financimit, organizimti dhe menaxhimit; me njerëz, me staf, me udhëheqësi e kështu me rradhë. Unë kam pas një paraqitje në seancë tek e cila i kam ngritur tri çështje: referencën e Preambulës si vlerë”, është shprehur ai.
I pari i LDK-së ka vlerësuar se me këto kompetenca të Asociacionit, Kosovës nuk i duhet as njohja nga Serbia.
“Atëherë nuk ka duhet më as njohja nga Serbia”, është shprehur Abdixhiku.
Ndërsa, partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ka bërë me dije se për këtë parti është i papranishëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës.
“Kryetari Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre takimeve u tha se regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat, krahas dështimit në dialog, të cilat vijnë si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë”, është thënë në komunikatën e PDK-së, e cila është lëshuar më 14 nëntor pasi një mbledhje të kryetarit të PDK-së me Kryesinë e partisë, deputetët dhe kryetarët e degëve.
Qeveria e Kosovës draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e kishte pranuar më 21 tetor. Drafti në Prishtinë ishte sjell nga pesëshja diplomatike euro-amerikane më 21 tetor.
Kryeministri Albin Kurti për asnjë moment nuk kishte treguar gatishmëri për ta ndarë dokumentin me opozitën apo opinionin publik.
Kjo kishte nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
I pari i Qeverisë kishte thënë se për shkak të konfidencialitetit të procesit nuk mund ta publikonte draftin.
Për këtë çështje ishte diskutuar edhe në Kuvend e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.