“Një hap para, tre mbrapa”: Çka të presim nga vazhdimi i mandatit prej Mirosllav Lajçakut?
Pikërisht në kohën kur flitej për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale, Bashkimi Evropian do t’ia hiqte nga duart përgjegjësinë e ndërmjetësimit shefave të saj të diplomacisë, për t’ia deleguar një të dërguari të posaçëm. Çka të presim prej tij?
Para dy vitesh, u shpik një punë e re në Bashkimin Evropian: i Dërguari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Kjo punë do t’i jepej Mirosllav Lajçakut, mandati i të cilit sapo u vazhdua në dy vite të tjera. A po shihet në horizont marrëveshja finale? Nacionale ka pyetur analistë politikë në lidhje me çështjen.
Bashkimi Evropian të hënën konfirmoi se Mirsolav Lajçak do të jetë i dërguar i posaçëm i dialogut mes Kosovës e Serbisë edhe për 24 muaj. Lajçak do ta mbajë këtë detyrë deri më 31 gusht të vitit 2024.

“Një hap para, tre mbrapa” apo politikan me ndikim?
Analistët Visar Ymeri e Gazmir Raci, me të cilët biseduam, i thanë gazetës Nacionale që është e rëndësishme, që marrëveshja të përfundojë brenda mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden. Sidoqoftë, Raci shtoi se nga Lajçak, nuk mund të pritet “ ta vizatojë marrëveshjen”.
Visar Ymeri na tha se Lajçak e gëzon mbështetjen e vendeve të BE-së dhe se ka dëshmuar që ka aftësi bashkëpunimi edhe me emisarin amerikan për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar.
“Duket se Miroslav Lajçak është personi që vazhdon ta gëzojë mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së, e veçanërisht vendeve më me peshë sikur Gjermania e Franca. Po ashtu Lajçak ka dëshmuar vullnet e aftësi bashkëpunimi edhe me të përcaktuarin e ShBA-së për rajonin Gabriel Escobar, duke përfaqësuar një zë dhe qëndrim të përafruar të BE-së dhe ShBA-ve për dalogun mes Kosovës dhe Serbisë, përafrim ky tejet i domosdoshëm për ecurinë e suksesin e këtij dialogu”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.
Ymeri – ish kryetar i Vetëvendosjes - ka folur për kritikat që i janë bërë emisarit Lajçak, duke theksuar se nuk duhet të fajësohet ai lidhur me ngecjen dhe rikthimin e temave, të cilat konsideroheshin të mbylluar.
“Mendoj që fillimisht duhet ta bëjmë një ndarje të qartë në mes të rolit të ndërmjetësuesit dhe atij të negociatorit. Shpesh herë në diskutimet tona ia mveshim Lajçakut një rol që ky i fundit nuk e ka. Detyrë primare e tij është që të ndërmjetësojë mes palëve për t’ua mundësuar këtyre komunikimin drejt arritjes së marrëveshjes. Si i tillë ai varet kryekëput nga vullneti i palëve për një gjë të tillë. Është fakt që dialogu ka ngecur dhe po i rithehemi temave të cilat janë konsideruar të përmbyllura. Megjithatë a është ky dështim i ndërmjetësuesit? Mendoj që nuk është kaq e lehtë të fajësohet ndërmjetësuesi. Sepse ai varet nga pozicioni që e ka. Dhe natyrisht nga institucionet që i përfaqëson, e që në këtë rast janë institucionet e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së,”- argumentoi ai.
Analisti tha se është e rëndësishme që dialogu të përfundojë në mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden, derisa shtoi se hapja e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shënon kthimin e vëmendjes kah Ballkani.
“Është tejet e rëndësishme që të kemi marrëveshje, dhe që ky dialog i stërzgjatur të përfundoj sa më parë. Është po ashtu tejet e rëndësishme që të përfundojë ky dialog në mandatin e administratës aktuale amerikane, meqë kur nuk mund të jemi të sigurtë se çfarë qeverie do ta kemi nesër në Uashington. Duhet ta shfrytëzojmë admonistratën e Presidentit Biden në të cilën çështja e Kosovës ka ndjeshmëri më të madhe për shkak të përvojës, angazhimit dhe sentimentit që Presidenti ka pasur karshi Kosovës. Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga BE po ashtu shenjon një kohë të re për sa i përket angazhimit të BE-së në rajon dhe kthimit të vëmendjes kah Ballkani pas një kohe relativisht të gjatë. Të gjitha këto e bëjnë marrëveshjen të mundshme. Por edhe urgjente kur e kemi parasysh ndryshimin rrënjësor të botës pas invazonit të Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai.
Njëjtë si Ymeri, mendon edhe analisti Gazmir Raci. Ky i fundit, i tha gazetës Nacionale që marrëveshja duhet të arrihet brenda mandatit të administratës aktuale në SHBA.
“Me rëndësi është që dialogu me përfundu brenda mandatit të Biden, këta tjerët janë vetëm ndihmësa. Me rëndësi, SHBA ka deklaru që duhet me u arritr brenda mandatit të parë të Biden. Po ashtu, e rëndësishme është edhe përfshirja e Gjermanisë, pasi që po vërehet se Gjermania me kancelarin Scholz është përfshirë shumë”, ka thënë ai.
Ndryshe nga këta të dy, profesori i Integrimeve Evropiane, Dritëro Arifi, në një përgjigje për gazetën Nacionale, e quan si jo të duhur vendimin që emisarit Lajçak t’i vazhdohet mandati.
Madje ai e përshkruan edhe me një fjali punën e këtij të fundit, “një hap para, tre hapa mbrapa.”
“Sa i përket zgjatjes së mandatit të z.Lajçak për po themi kushtimisht, gati edhe dy vite, nuk ka qenë vendim i duhur. Kjo tregon dhe e shfaq një tjetër kuptim, që BE ende nuk ka politikisht një lidership të këtij procesi apo të tjerave. Në bazë të asaj që nuk kanë alternativa kanë vendosur për të vetmin, z.Lajçak, i cili shpesh herë në prononcime po e tregon një joneutralitet siç jemi mësuar ta shohim nga BE-ja, nganjëherë po tregohet shumë i anshëm sa i përket dialogut dhe jo i sinqertë në disa raste, në njëfarë mënyre nuk po dëshiron me e përfundu dialogun në një kornizë, siç po e thotë edhe kancelari gjerman, me njohje reciproke të obligueshme për republikën e Serbisë. Zgjedhja e tij, nuk është më e keqja, por as më e mira. Puna e Lajçak, nëse e komentojmë në mënyrë figurative, është një hap përpara, tre hapa mbrapa, për shkak se BE-ja nuk po mundet që ta gjejë një kornizë kohore që ta rregullojë, se deri kur mund të shkojë dialogu, cilat tema, kur duhet të fillojnë edhe kur të përfundojnë. Jo të këcejnë nga tema në temë, nuk ka një fokus të veçantë puna e tij, dhe kjo do t’i sjellë probleme procesit nëse vazhdon ën këtë ritëm”, ka thënë ai.
Arifi na foli edhe për përfundimin e dialogun, për të cilën tha se vendet e BE-së duhet ta marrin një vendim se si dhe kur t’i japin fund kësaj çështje.
“Sa i përket përfundimit, të vetmen gjë që mund ta kuptojmë është nëse vendet e fuqishme të BE-së marrin një vendim politik sa i përket dialogut se kur dhe si të përfundojë. Nëse Gjermania, Franca, Italia kanë kanë vendim politik, atëherë mund të presim presion ndaj republikës së Serbisë sepse ka shumëçka që të dialogohet dhe se Serbia duhet ta njoh realitetin faktik që e kemi në terren. Nëse nuk e ka këtë pikë, atëherë nuk mund të përfundojë brenda kësaj periudhe kohore”, tha Arifi.
Informues ishte edhe opinionisti serb nga Kosova, Ognjen Gogiq, i cili paraqiti një kontradiktë në vullnetin e BE-së për arritjen e marrëveshjes finale.
“Para se të caktohej Mirosllav Lajçaku si përfaqësues special i BE-së për dialogun, ky pozicion nuk ekzistonte. Dialogu ishte në mënyrë direkte i ndikuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, që ishte më herët Catherine Ashton dhe më pas Federica Mogherini. Kur Lajçaku u vu në këtë pozitë, kjo ishte disi e çuditshme sepse dialohu parashihej të hynte në fazën finale dhe të çonte drejt një marrëveshjeje finale për normalizimin. Nuk ishte logjike për bisedimet e marrëveshjeve teknike të kryheshin direkt nga Përfaqësuesit e Lartë, e më pas faza më komplekse t’i lihej të dërguarit të tyre që nuk kishte pushtetin e duhur institucional e politik,” – u shpreh z. Gogiq për Danasin serb.
“Emisari i posaçëm thjesht nuk ka mjaftueshëm pushtet për të ndikuar te Beogradi dhe Prishtina. Dialogu duhet të merret nga dikush që ka mundësinë për të shpërblyer e ndëshkuar palët për suksesin apo dështimin e tyre,” - shtoi ai.
Kush është Lajçak?
Miroslav Lajçak është një politikan sllovak, i cili më parë kishte shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara gjatë vitit 2017-2018.
Ai kishte qenë edhe Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën gjatë vitit 2007-2008, ku vepronte edhe si përfaqësues i lartë i komunitetit ndërkombëtar atje.
Lajçak në emër të Bashkimit Evropian mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi më 2006.
Ndërsa në vitin 2020 nga Këshilli i Bashkimit Evropian u emërua si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, për dialogun Prishtinë- Beograd.
