Një grua e shpëtuar në Turqi tetë ditë pas tërmetit u gjet nga ukrainasit - NACIONALE

Një grua e shpëtuar në Turqi tetë ditë pas tërmetit u gjet nga ukrainasit

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Sot, 205 orë pas tërmetit shkatërrues që goditi jugun e Turqisë dhe veriun e Sirisë, shpëtimtarët ukrainas nxorën të gjallë një grua nga rrënojat në provincën turke të Hatay, raportoi CNN Turk. Me nxjerrjen e saj nga rrënojat e ndërtesës ku jetonte, numri i të shpëtuarve u rrit në shtatë.

Më shumë se 37 mijë njerëz kanë vdekur deri më tani

Tërmeti i 6 shkurtit konsiderohet si një nga më të këqijtë në historinë e fundit të Turqisë. Numri i të vdekurve në të dy vendet i kaloi 37,000. Edhe pse përpjekjet tani janë përqendruar kryesisht në ndihmën e të mbijetuarve të cilëve u mungon ushqimi dhe që nuk kanë më çati mbi kokë, shpëtimtarët ende arrijnë të gjejnë disa njerëz të gjallë.

Midis shtatë të shpëtuarve janë dy vëllezër nga rrënojat e një blloku apartamentesh në provincën fqinje të Kahramanmaras, 17-vjeçari Muhammed Enes Yeninar dhe vëllai i tij 21-vjeçar Baki Yeninar.

Më herët gjatë ditës së sotme, 18-vjeçari Muhammed Cafer u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese në Turqinë jugore, 198 orë pas tërmetit të së hënës së kaluar. Por ekipi i OKB-së në terren ka bërë të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit po i afrohen fundit dhe vëmendja po përqendrohet tek personat që kanë nevojë për strehim dhe ushqim, ndërkohë që po bëhen përpjekje që fëmijët të kthehen sa më shpejt në shkollë.

Më shumë se 26 milionë njerëz u prekën nga tërmeti

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 26 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti në të dy vendet dhe kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.

"Nevojat e njerëzve janë të mëdha dhe po rriten orë pas ore. Ka një shqetësim në rritje për shëndetin e njerëzve lidhur me të ftohtin ekstrem dhe kushtet e vështira higjienike dhe sanitare dhe përhapjen e mundshme të sëmundjeve infektive", tha Drejtori rajonal i OBSH-së dhe për Evropën Hans Kluge. /Nacionale/

Lajme të ngjashme