Një burrë në ShBA vdes nga ameba trungrënëse, Naegleria fowleri - NACIONALE

Një burrë në ShBA vdes nga ameba trungrënëse, Naegleria fowleri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një banor i Floridës së ShBA-së ka vdekur pas infektimit me një lloj amebe të rrallë trungrënëse, kanë njoftuar zyrtarët amerikanë.

Ekspertët shëndetësorë në distriktin Charlotte të Floridës thonë se viktima ndoshta ishte infektuar përmes shpëlarjes së hundës me ujë të çezmës, raporton televizioni BBC.

Ameba Naegleria floweri e infekton trurin përmes hundës. Zyrtarët thonë se pirja e ujit të kontaminuar me këtë amebë nuk është e rrezikshme.

Infektimet janë pothuajse gjithmonë fatale, sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA. Zyrtarët nuk e kanë identifikuar viktimën.

Të enjten, një zëdhënës i agjencitë shtetërore të shëndetësisë konfirmoi se pacienti ka vdekur.

Zëdhënësi Jae Williams tha se zyrtarët e disa agjencive qeveritare “po e vazhdojnë hetimin se si ka ndodhur ky infeksion”.

Ai shtoi se zyrtarët “janë duke punuar me shërbimet publike lokale për të identifikuar ndonjë lidhje të mundshme dhe për të ndërmarrë çfarëdo veprimi të nevojshëm përmirësues”.

Amebat zakonisht jetojnë në ujëra të vakëta e të freskëta, si në liqene, pellgje e pishina noti.

Ato mund të shkaktojnë infeksion të rëndë, nëse depërtojnë përmes hundës, por pirja e ujit me ameba përmes gojës është zakonisht e sigurt, sepse acidi i lukthit i vret këta mikroorganizma njëqelizorë.

Njerëzit që infektohen, preken nga një sëmundje e quajtur meningoencefalitisi amebik primar. Në mesin e simptomave përfshihen dhimbja e kokës, ethet, vjellja, çorientimi, humbja e baraspeshës e halucinacionet.

Sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth tre amerikanë infektohen me ameba në vit, shpesh me pasoja vdekjeprurëse.

Nga viti 1962 deri më 2021, vetëm katër nga 154 persona të infektuar në ShBA kanë mbijetuar nga kjo sëmundje.

Lajme të ngjashme