Mblidhen serbët në veri të Kosovës, bëjnë thirrje për "paqe" - NACIONALE

Mblidhen serbët në veri të Kosovës, bëjnë thirrje për "paqe"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tashmë, ka nisur tubimi i serbëve në veri të Kosovës. Numri i pjesëmarrësve duket më i madh se sa në tubimet e kaluara, për zgjedhjet serbe në muajin prill dhe për referendumin në muajin janar. Çka po ndodh në veri?

Ky tubim nisi me këndimin e himnit të Serbisë në sheshin e Car Llazarit në Mitrovicën e Veriut.

I gjithë qyteti duket me tri ngjyrat e flamurit serb, derisa kanë nisur fjalën e tyre edhe figurat publike të serbëve të Kosovës.

Ky tubim po ndodh pas suspendimit të ish drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriq.

Pankartat të cilat po i mbajnë në duar serbët pjesëmarrës janë: “Të gjithë jemi Nenad Gjuriq,”; “Ne shtet e kemi Serbinë,”; “Për hir të fëmijëve tanë – Jo dorëzim”; “Pse serbët nuk kanë të drejtën e lëvizjes së lirë?”; “Unë jam serb dhe gjithçka është e imja këtu,”

Nënkryetari i Listës Serbe, që iu bëri thirrje serbëve lokalë të shkonin në tubim, ishte shprehur se serbët janë të zhgëynjer me “reagimet joadekuate të bashkësisë ndërkombëtare ndaj veprimeve të Prishtinës”.

Para se të bëhej ky tubim, në mëngjesin e sotëm u mbajtën seanca në kuvendet komunale të katër komunave në veri, ku kryetarët dhe asamblistët dorëzuan dorëheqjet.

Në fillim të këtij tubimi, fjalime po mbajnë drejtuesit e universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe figura të tjera të papërfshira në jetën politike.

Duhet përmendur se deri tash, të gjithë folësit e kanë përmendur "paqen" derisa nuk kanë përdorur gjuhë të ashpër siç e kemi dëgjuar nga politikanët serbë nga Kosova e nga Serbia.

PËRDITËSIM | 12:22 | Një mjek, drejtues i qendrës klinike në veri po mban fjalim. Ai u shpreh se kanë dhënë ndihmë mjekësore pa dallime etnike, ndërkohë që akuzoi Qeverinë e Kosovës për obstruksione të ndryshme.

PËRDITËSIM | 12:25 | Lilijana Stefanoviq tashmë po i drejtohet turmës. Ajo ishte suspenduar nga autoritetet e Kosovës për shkak të pjesëmarrjes në një mbledhje të Qeverisë së Serbisë. “Ne kemi vendosur unanimisht të largohemi nga sistemi gjyqësor dhe t’i bashkohemi të gjithëve në këtë luftë. Vendimi ynë është i qartë. Mendoj se jemi ambasadorët më të mirë të gjyqësisë serbe. Marrëveshja e Brukselit ka vdekur”.

PËRDITËSIM | 12:34 | Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur se ka qenë në veri të vendit në një status në Facebook të publikuar disa minuta më parë.

PËRDITËSIM | 12:38 | Ndërkohë, së fundi foli edhe drejtori i suspenduar Nenad Gjuriq, i cili u shpreh se serbët e Kosovës "nuk kishin tokë tjetër".

PËRDITËSIM | 12:46 | Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u shpreh mes tjerash se "ishin mbledhur për të protestuar kundër shkeljes së serbëve". “Na i kanë marrë pronat. Mandatet janë tonat. Vendosmëria e jonë ishte që me dialog e marrëveshje të kemi jetë më të mirë me shqiptarët e boshnjakët”, tha Rakiq.

“Ne kërkojmë paqe, paqe dhe vetëm paqe. Të tjerëve nuk i interesojnë marrëveshjet. Mos bini pre e provokimeve. Nuk e kërcënojmë askënd. E duam që të themelohet Asociacioni. Vuçiq kërkoi nga ne që ta ruajmë paqen dhe njëri-tjetrin, por do të mbrohemi dhe nuk do të lejojmë përjashtimin e serbëve”, deklaroi më tutje ai.

LAJMI NË PËRDITËSIM...

Lajme të ngjashme