Tre shtetas rusë tentojnë të hyjnë fshehurazi në Uzinën e Armëve në Gramsh - çka dihet deri tash?
Në uzinën e çekiçit në Gramsh (dikur e njohur si Uzina Mekanike e Armëve), ndodhi një ngjarje e tmerrshme kur tre shtetas të dyshuar rusë sulmuan me sprej neuroparalizues ushtarët që ishin aty.
Ushtarët shqiptarë të cilët kishin si detyrë ruajtjen dhe mbrojtjen e Uzinës pikasën tre persona me shtetësi të huaj të cilët tëntuan të futën fshehurazi në objekt.
Ushtarët shqiptarë Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka janë afruar menjëherë, por në moment janë sulmuar nga tre personat, ku njëri prej tyre ka përdorur sprej duke lënë të plagosur dy ushtarakët.

Siç shihet në pamjet e siguruara nga Abcnews.al, dy ushtarët shqiptarë, Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, u plagosën gjatë incidentit dhe aktualisht po trajtohen në qendrën e traumës pa rrezik për jetën.
Bazuar në informacionet e siguruara nga Top Channel bëhet me dije se tre prej ruseve (të dyshuar) janë kapur nga policia.
Momentalisht po kërkohet për të dyshuarin tjetër (dyshohet femër). Sipas prokurorisë, rusët tentuan të depërtonin në perimetrin e uzinës teksa fotografonin. Se cilat janë qëllimet e tyre për momentin mbeten një mister.
Pas kësaj, ka reaguar ka reaguar Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Policia e Gramshit ku ka konfirmuar se dy ushtarakë shqiptarë kanë mbetur të lënduar.
Ministria përmes një reagimi ka thënë se mbrëmjen e sotme ka ndodhur një incident në Uzinën e Përpunimit të Armëve.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri:
Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur menjëherë pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën pasi kanë marrë informacion nga veprimet paraprake hetimore se ky shtetas shoqërohej nga dy shtetas të tjerë.
Policia ka mundur të lokalizojë dhe bllokojë në afërsi të kësaj zone mjetin tip “Chevrolet”, ku ndodhej shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç.
Njoftimi i Policisë:
Nga shërbimet e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se ne afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.
Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij.
Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj
Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.