Ngërçi politik, Hasani: Ish-opozita s’ka asnjë faj hiç, VV-ja po e luan lojën e budallait
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-së që në mandatin e kaluar kanë qenë opozita nuk e kanë asnjë faj për moskonstituimin e Kuvendit.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hasani ka thënë se ish-opozita e ka bërë vetëm një faj.
“Krejt fuqia po mblidhet me thënë që të gjithë kanë faj. Asnjë faj nuk e ka opozita, hiç asnjë. Më ligj e me kushtetutë jo hiç asnjë faj. Nuk po i referohem politikisht kush çka ka propozuar, por nuk ka faj. Unë mendoj opozita ka gabuar që kanë bllokuar në fillim të seancave raportin për certifikim”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, partia e Albin Kurtit duhet të zabtojë vetëm aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
“S`ka çka diskutohet këtu, është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, rregullorja e kuvendit e cila e ka ndërruar mënyrën e ekzekutimin të skenarit për formim të kuvendit, dhe në vend të kryesisë së vjetër e ka bërë kryesuesi më i vjetër në moshë me forcat politike parlamentare dhe kaq. As nuk është deshtë të diskutohet”, është shprehur Hasani.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se VV-ja qëllimisht nuk po vepron si duhet.
Sipas tij, kjo parti po e luan lojën e budallait.
“Partia që e ka shumicën këtu po e luan lojën e budallait. Për këtë situatë nuk ka faj as votuesi e as opozita. Pse duhet të jetë opozita fajtore? Bazu në ligj, kushtetutë e rregullore, opozita nuk e ka asnjë faj”, është shprehur Hasani.