Nga zbatimi i Kushtetutës, te pajtimi për dorëzim të propozimeve: Si degradoi pozicioni i Kosovës për dinarin në Bruksel?
Qëndrimet e kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit për çështjen e dinarit në Bruksel, kanë nxitur reagime të shumta.
Pajtimi i të dy palëve që propozimet për dinarit të dorëzohen të premten në Bruksel, po shihet si dëmtim i pozicionit të Kosovës në këtë proces.
Monitoruesit e procesit të dialogut kanë bërë me dije se Qeveria ka ndryshuar pozicion për këtë çështje.
Në këtë mënyrë, kanë thënë ata, Qeveria ka degraduar pozicioni e saj në raport më këtë çështje në Bruksel.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe kryeministri Albin Kurti nuk po mësojnë nga gabimet e tyre edhe pas katër viteve në pushtet.
Në profilin e tij në “Facebok”, ai ka shkruar se qeveritarët aktual nuk po e mësojnë paritmin politik “kurrë mos thuaj kurrë”.
“Kurrë mos thuaj kurrë, janë parime në politike dhe diplomaci që Albin Kurti, Besnik Bislimi dhe Donike Gervalla edhe pse gati katër vite në pushtet ende nuk janë duke i kuptuar dhe nuk janë duke mësuar nga 100 gabimet e bëra deri me sot. BQK është e pavarur, nuk i diskutojmë vendimet e një institucioni të pavarur, rezultati, Serbia dërgon propozime në Bruksel lidhur me një vendim të BQK, këtij institucionit të pavarur”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kryeministri Kurti është dashur ta dëgjoi presidenten Osmani për çështjen e dinarit.
“Sikur të dëgjonit Presidenten Osmani së çështja e dinarit të zgjidhet në Prishtinë me amerikanët, nuk do të faktorizonit Serbinë deri në atë mase sa te jap propozime lidhur çështjet e brendshme te Republikës së Kosovës. Shumë amatera dhe të padijshëm në diplomaci dhe dialog”, ka shkruar Miftaraj.
Edhe analisti Ylli Hoxha ka vlerësuar se Kosova ka gabuar kur ka pranuar që kjo çështje të diskutohet në Bruksel.
Madje, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ai ka bërë me dije se Kosova po e degradon pozicionin e saj në këtë proces.
Sipas tij, tashmë Kosova është pajtuar për një zgjidhje të përkohshme për çështjen e dinarit.
“Kumtesa apo deklarata e Bislimit tregon se ka një zgjidhje afatshkurtër për dinarin. Prej idesë se kemi zbatim të Kushtetutës, ashtu siç është kemi arritur në pikën që të premten do të vijë në tavolinë një propozim afatshkurtër i dy palëve dhe pastaj do të gjendet një mjedis… kemi një lloj degradimi të pozicionit prej zbatimit të Kushtetutës siç është neni i 11”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, profesori universitar, Blerim Canaj, ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti theu edhe një zotim të tij për këtë çështje.
“Një takim si gjithë të tjerët që s’është pritë kush e di se çka, pos një thyerje tjetër e premtimit për shkak se ne jemi mësuar se qeveria dhe kryeministri ynë flet diçka e menjëherë del diçka tjetër. Sikur më kujtohet ajo fraza e zotit Bislimi që thonte, pesë pare s’i jap për këtë punë mirëpo në fund u dashtë të ulet dhe të flasë”, është shprehur Canaj.
Në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, ai ka bërë me dije se bisedimet për këtë cështje në Bruksle janë të panevojshme.
“Po ajo çka është e tepërt për mua është për shkak se mendoj që çështja e dinarit absolutisht panevojshëm dhe nuk e di se pse është ardhë puna, e kemi sjellë punën që edhe kjo pikë të diskutohet në Bruksel. Për shkak se për mua është thjeshtë njëfarë humbje kohe e Kosovës e tash nëse Qeveria dëshiron që të zhagisë më shumë dhe të përfitojë kohë ajo është tjetër çështje”, ka thënë ai.
Për çka u pajtuan palët?
Kosova dhe Serbia dje në Bruksel kanë mbajtur takimin e dytë për çështjen e dinarit. Pas takimit trepalësh, i cili ka zgjatur disa orë, palët janë pajtuar që të premten, më 22 mars, të dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit në Bruksel.
Pas takimit, kryenegciatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se javën e ardhshme përsëri do të takohen për të diskutuar për këtë çështje.
“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi.
Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para të gatshme. Ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, ka shkruar Lajçak në llogarinë e tij në platformën “X”.
Gatishmëria e palëve për të vazhduar dialogun për dinarin është përshëndetur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një konferencë për media, zëvendës-zëdhënësi i këtij institucioni Vedant Patel ka theksuar urgjencën e vazhdimit të diskutimeve për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për valutën serbe.
"Bisedimet [në Bruksel] i mirëpresim. Janë zhvilluar në kuadër të dialogut të lehtësuar prej BE-së, sot, dhe aty përfshihet diskutimi për rregulloren e re të BQK-së për valutën, dhe ne besojmë që këto bisedime duhet të zhvillohen me urgjencë”, është shprehur Patel.