Nga ‘tigër prej letre’ në ‘s’po di si t’i heqë sanksionet’: Fyerjet qesharake që BE-ja mori nga Gërvalla dhe Bislimi
Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla janë njerëzit kryesorë të Qeverisë, pas kryeministrit Albin Kurti. Bislimin është zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, kurse Gërvalla është zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Deklarimet publike të këtyre dy zyrtarëve të lartë jo rrallë bëhen temë e diskutimeve të debateve. Madje, ato shpesh shndërrohen edhe në ‘meme’ të ndryshme.
Pasi BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, Bislimi dhe Gërvalla i kanë bërë specialitet kritikat ndaj Bashkimit Evropian dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Ata vazhdimisht e akuzojnë BE-në për paaftësi dhe për qasje të padrejtë ndaj Kosovës.
Avazin e vjetër Bislimi e ka vazhduar edhe sot, duke dhënë një kritikë qesharake për BE-në.
Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropianë të Kuvendit të Kosovës, ai ka dhënë një arsyetim të çuditshëm se pse BE-ja nuk po i largon masat ndaj Kosovës.
Njeriu i dytë i Qeverisë ka thënë se BE-ja nuk po di se si me i heqë masat Kosovës.
Sipas tij, ka paqartësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e këtyre masave.
“Ne kemi përmbushur obligimet tona që burojnë nga ky dokument. Me gjasë ka paqartësi të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetarë të komunave në zyret e tyre, të cilat i kanë fituar përmes zgjedhjeve legjitime, ndërkaq Serbia nuk ka masa përkundër agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë”, ka thënë Bislimi.
Fyerje edhe më të rendë BE-ja kishte marrë para disa muajve nga Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Shefja e diplomacisë kishte thënë se BE-ja është një bllok i paaftë.
Gjatë një paneli diskutimi në “Forumin e Dubrovnikut” e sulmoi rëndë Bashkimin Evropian, duke e quajtur “tigër prej letre”.
“Unë vlerësoj që BE-ja nuk munden, dhe njëjtë ka thënë edhe një analist gjerman para disa ditësh, sepse nuk është e aftë të ofrojë siguri, arsyet dihen. Nuk ka vullnet politik, ka shumë jounitet në bllok, dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre kur vjen puna te siguria.”, kishte deklaruar Gërvalla.
Kritikat e këtyre zyrtarëve të lartë i ka komentuar edhe ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti.
Ai është shprehur i habitur me qëndrimet e Bislimit dhe Gërvalla.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se kosovarët po i vuajnë sanksionet për fajin e Qeverisë së padijshme, të papërgjegjshme të Kosovës.
“Kur BE-ja vendosi sanksione ndaj Kosovës qeveritarët tanë e minimizonin këtë punë. Janë masa të përkohshme, të kthyeshme, thoshin, duke përdorur argumentin e BE-së, që zv.kryeministresha Gërvalla-Schëarz e quante ‘tigër prej letre’. Tash po e akuzojnë ‘tigrin prej letre’ që s’po di si t’i heqë sanksionet. Siç ka ditur t’i vendosë, do të dijë t’i heqë. Por, me gjasë, jo për sa kohë që e kemi këtë Qeveri diletantësh”, ka shkruar ai, duke shtuar se më këtë qeveria vështisë se këto masa do të hiqen shpejt.
“Në ndërkohë, pyetja që qytetarët e Kosovës duhet t’ia bëjnë Qeverisë së vet është: të përkohshme sanksionet po, por deri kur? Kur do të zhbllokohen 295 milionë euro fonde për Kosovën nga Bashkimi Evropian? Kosovarët po i vuajnë sanksionet për fajin e Qeverisë së padijshme, të papërgjegjshme të Kosovës. Kemi Qeveri të sanksionuar, por krenare!”, ka shkruar Hamiti.