Nga shteti në shtet, kontroll i përbashkët kufitar - NACIONALE

Nga shteti në shtet, kontroll i përbashkët kufitar

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Dy pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut në Han të Elezit dhe Glloboqicë nga prilli do të funksionojnë me sistem të përbashkët kufitar.

Lajmin e ka bërë të ditur sot ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.

Kjo përfaqësi diplomatike ka bërë të ditur se regjimi i ri kufitar mes dy shteteve do të operacionalizohet në mesin e muajit prill.

“Prolongimi disa ditor është bërë me qëllim të përgatitjeve finale teknike e logjistike të ekipeve të cilat janë duke punuar intenzivisht në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërshtetërore”, thuhet në njoftim.

Sipas ambasadës, regjimi i ri kufitar do të jetë sipas modelit ‘hyrje-hyrje’, me ç’rast kontrollet do të realizohen vetëm në hyrje nga policia përkatëse e shtetit, kurse policët do të punojnë në një objekt të përbashkët.

“Zbatimi i saj do të jetësohet paralelisht në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë. Ky model pritet që të zvogëloj pritjet dhe është në funksion të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të dy shteteve të cilët qarkullojnë çdo herë e më shumë në dy drejtimet”, përfundon njoftimi i ambasadës në Shkup.

Kjo çështje ishte përmendur edhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit fqinj.

Në shkurt, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, pati thënë se me pikat e përbashkëta kufitare qytetarët do ta ndjejnë lehtësimin sa i përket lëvizjes e qarkullimit.

“Si qeveri jemi të përkushtuar dhe kjo dëshmon për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, pati thënë Mexhiti.

Edhe ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski pati thënë se sistemi i ri i kontrollit kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, do t’i thjeshojë procedurat kufitare.

Si pasojë, qytetarët e të dyja vendeve do të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke pakësuar pritjet e duke lehtësuar kalimin nga njëri shtet në tjetrin.

“Në kuadër të një platforme të përbashkët ‘cloud’, të dhënat ndahen mes dy ministrive përkatëse, me qëllim që të mundësohet hyrja e qytetarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, vetëm përmes konstatimit nga një zyrtar policor”, kishte thënë Toshkovski.


Lajme të ngjashme