Nga qortimi deri te ndalimi, si do ta zbatojë Kurti planin për targat? - NACIONALE

Nga qortimi deri te ndalimi, si do ta zbatojë Kurti planin për targat?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të premten pasdite, shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, shpalosi një plan për çështjen e targaveqë lëshohen nga Serbia, i cili do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që, nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS - Republika e Kosovës.

Por cili është plani?

Kryeministri Kurti shpjegoi se duke filluar nga e marta ( 1 nëntor), për tri javë, pra deri më 21 nëntor, për serbët që nuk e zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës, do të vlejë masa e qortimit.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill, nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, të mbajtur më 28 tetor.

Vendimi që e zhgënjeu aleatin më të madh të Kosovës!

Pas publikimit të vendimit të Kosovës, ShBA-ja u shpreh e "zhgënjyer"me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim.

Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Nuk dihet nëse Departamenti i Shtetit ka publikuar këtë komunikatë para apo pas vendimit të ri që mori dje (28 tetor) Qeveria e Kosovës në lidhje me targat.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.

Në komunikatën e publikuar në faqen e Departamentit të Shtetit, Kosovës i kërkohet që ta zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që ta zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë ta zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.

DASh-i, po ashtu, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, në qendër të cilës, sipas Uashingtonit, duhet të jetë njohja reciproke.

Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petkoviqi, e quan "mashtrim" vendimin e Qeverisë

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, ka reaguar shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili vendimin e ka cilësuar si "mashtrim".

“Çdo lloj krize dhe tensioni në Kosovë dhe Metohi u shmang vetëm falë sjelljes së matur dhe të përgjegjshme të popullit tonë atje dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, prandaj nuk ka asnjë nënshtrim ndaj mashtrimit që Kurti dhe [zëvendëskryeminstrit të Kosovës, Besnik ]Bislimi po përpiqen të bëjnë, përmes këtij vendimi, duke pandehur se janë të gatshëm të bëjnë kompromis. Kjo sepse gjithçka që bëjnë, e bëjnë në kuadër të qëllimit afatgjatë të dëbimit të popullit serb nga Kosova dhe Beogradi nuk do ta lejojë këtë”, tha ai.

E shefi i Qeverisë së Kosovës tha se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë. Pavarësisht se tha që ata fillimisht i kërkuan që ta shtynte afatin për riregjistrim, me të dëgjuar për vendimin e ri, thanë se do ta tregojnë mendimin e tyre pasi të jenë konsultuar me kryeqendrat e tyre.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe - sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme - qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.

Lajme të ngjashme