Nga përqafimet e zjarrta tek “akullnaja”: Si u “cakërruan” raportet mes Osmanit e Gërvallës? - NACIONALE

Nga përqafimet e zjarrta tek “akullnaja”: Si u “cakërruan” raportet mes Osmanit e Gërvallës?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla janë bashkëmendimtare që një kohë të gjatë. Ato bashkë kundërshtuan LDK-në, dolën nga LDK-ja sërish bashkë. Në fund, prapë bashkë themeluan Listën GUXO dhe përfunduan në koalicion me LVV-në. Po, po, edhe kësaj radhe bashkë. Megjithatë, shoqet e mendimit tashmë s’përputhen në mendime.

Një fotografi, lehtë e gjindshme në internet, goxha emblematike, është një lloj simboli i bashkëveprimit të Osmanit e Gërvallës. Në një mot të nxehtë, Gërvalla e Osmani janë të buzëqeshura, teksa kjo e fundit e merr një puthje nga Gërvalla.

Tashmë zor se ka përqafime mes Osmanit e Gërvallës, pasi dallimet politike mes tyre duket se kanë marrë dhenë. E gjithë ftohja nisi për shkak të një letre që Gërvalla e dërgoi në adresë të Këshillit të Evropës, për të cilën Osmani tha se nuk ishte konsultuar.

Siç shkroi Nacionale, në ceremoninë për përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, e cila është mbajtur dje, është parë që presidentja Osmani e kryeministri Albin Kurti nuk kanë shumë probleme në raportet në mes të tyre.

Një video që është publikuar nga RTV Besa, dy krerët institucionalë shihen duke qeshur se bashku, por aty është parë një një ftohje tjetër. Në tavolinën me Osmanin dhe Kurti ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme Gërvalla, e cila injorohet totalisht nga Komandantja Supreme.

Këtij injorimi, në një formë, i është përgjigjur Gërvalla. Në një intervistë për “Telegrafin”, Gërvalla e “goditi” Osmanin në lidhje me Nenin 84 të Kushtetutës së Kosovës. Gërvalla, në një deklarim që mund të lexohet si kundërpërgjigje ndaj Osmanit, ka theksuar se ajo nuk dërgon letra personale.

“Unë asnjëherë nuk dërgoj letra të mia personale, sepse personalet ua dërgoj miqve të mi. Ua dërgoj brenda kompetencave të mia të parapara me ligj. E brenda këtyre unë kam dërguar një ofertë për t’ua lehtësuar disa prej partnerëve tanë të cilët kanë simpatizuar goxha me një ide të tillë” – ka theksuar Gërvalla.

Në një tentim për ta fshehur “ftohjen” me Osmanin, Gërvalla kishte theksuar dy ditë më parë se raportet me Shefen e Shtetit i ka të mira.

“Ne raportet me presidenten e Republikës gjithnjë i kemi pasur të mira dhe nuk kam asnjë arsyeje të mendoj që ka një ndryshim në raportet tona. Unë jam e mendimit që nuk kemi nevojë gjithmonë të gjithë të pajtohemi 100 për qind për të gjitha temat. Natyrisht se si persona që bartim përgjegjësitë tona në fusha të ndryshme, për procese të ndryshme, nganjëherë kemi edhe mendime të ndryshme, kjo në raport me presidenten, por edhe me institucionet tjera. Mirëpo mendoj që institucionet të përgjegjshme dhe aty ku kemi dallime nganjëherë në qasjen tonë ndaj disa temave, ne gjithmonë e gjejmë një rrugëdalje dhe gjuhë të përbashkët, dhe asnjë arsyeje nuk kam të besoj se në këtë rast do duhej të ishte ndryshme” - tha Gërvalla.

Sjellim ndër mend që Osmani ishte treguar goxha kritike ndaj Gërvallës, por edhe ndaj Kurtit, në lidhje me letrën e dërguar në KiE.

“Letra e Qeverisë së Kosovës dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve” –kishte reaguar Presidenca e Kosovës në ditën kur ishte dërguar letra nga Qeveria e Kosovës, e nënshkruar nga Gërvalla.

Lajme të ngjashme