Nga mbi 11 mijë kandidatë për policë, gati 10 mijë dështuan në test me shkrim
9 mijë e 844 qytetarë nuk arritën ta kalonin testim me shkrim për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Në këtë tekst do të mësoni disa nga pyetjet e këtij testi ‘të pakalueshëm’.
“Nëse ju jeni polic dhe mbikëqyrësi juaj ua jep një emërim të zakonshëm me të cilin ju nuk pajtoheni plotësisht, ju do të duhet të:
a) kryeni emërimin sipas mënyrës së tij, b) njoftoni mbikëyqrësin për mendimin tuaj dhe kryeni emërimin, c)me të dalë nga zyra mbikëqyrësi juaj ju nuk e përfillni emërimin, d) ju duhet ta refuzoni emërimin”
“Nëse ju jeni polic, kur do të ishit në gjendje të shtini me armë: a)atëherë kur jeta e juaj është në rrezik, b) atëherë kur duhet mbrojtur jeta e qytetarëve, c) atëherë kur duhet mbrojtur jeta e kolegut tuaj, d) të gjitha nga këto më lartë”
Këto janë vetëm dy nga pyetjet me të cilat janë ballafaqur mbi 11 mijë kandidatët për t’u bërë pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Të tilla pyetje, ka pasur shumë. Pavarësisht se ka pasur ankesa e kritika se testimi për policë, ka qenë më ndryshe se herave të kaluara.
Megjithatë, po del se pyetjet kanë qenë të vështira për ata që kishin mësyrë të bëhen policë të Kosovës. Nga saktësisht 11 mijë e 291 kandidatë, 9 mijë e 844 nuk kanë arritur ta kalojnë testin me shkrim. Testin e kanë kaluar vetëm 1 mijë e 447 kandidatë, të cilët tash i pret testi fizik.
Këto statistika i ka bërë të ditura vetë Policia e Kosovës, duke i publikuar në faqen zyrtare. Megjithatë, ata që kanë vërejtje për pikët e grumbulluara, do të kenë të drejtë ankese në afat prej 5 ditësh.
“Kandidatët të cilët kanë ndonjë vërejtje në procesin e rekrutimit dhe seleksionimit për çdo fazë të testimit, kanë të drejtë të ankohen. Ankesa duhet t’i adresohet Komisionit Përzgjedhës në afatin prej (5) ditëve kalendarike, nga data e publikimit të rezultateve. Duke marrë parasysh faktin se testi me shkrim është mbajtur për herë të parë në mënyrë elektronike, Komisioni përzgjedhës ka bërë shqyrtimin e të gjitha vërejtjeve gjatë testimit me shkrim dhe problemeve eventuale të paraqitura të sistemit”, thuhet në faqen e Policisë.
Testimi fizik do të kryhet nga data 28 deri më 30 mars, në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.
Pyetjet e testit me shkrim
Gazeta Nacionale ka mësuar se testi me shkrim nuk ka ndryshuar shumë nga ata të viteve të kaluara, pavarësisht se është bërë në mënyrë elektronike. Në vazhdim, Nacionale sjell disa prej pyetjeve të ngjashme që u janë bërë kandidatëve, pjesa më e madhe e të cilëve dështuan totalisht.
Cili është shkaktari numër një i vdekjeve në Kosovë: a) vrasjet, b) vetëvrasjet, c) aksidentet gjatë ndërtimit të ndonjë objekti, d) aksidentet në komunikacion
Nëse jeni polic duke patrulluar në një lagje dhe në orët e hershme të mëngjesit vëreni se një grup i 17-vjeçarëve po prishin qetësinë. Hapi i parë që duhet të merrni është: a)t’i arrestoni, b) t’i shpërndani, c) të lajmëroni bazën dhe të kërkoni ndihmë, e pastaj ta shpërndani turmën, d) t’i leni ashtu siç janë sepse janë nën moshën 18-vjeçare.
Një numër pyetjesh ishin edhe nga gjuha shqipe e matematika. Modele të ngjashme janë:
Me prapashtesën –isht formohen: a) ndajfoljet, b) mbiemrat, c) foljet, d) emrat
Fjalët punim, qëndrim, zhveshje janë: a) ndajfolje, b) mbiemra, c) folje, d)emra
Nëse për të zbrazur një pus nevojitet një grup i cili nxjerr 5 litra për sekondë dhe për ta shterrur atë nevojitet një orë. Sa litra ujë ndodhen në atë pus:
- 15 mijë litra, b) 18 mijë litra, c) 20 mijë litra, d)22 mijë litra
Për këtë test me shkrim të Policisë, kishte pasur kritika edhe nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.