"Gjithçka që kam pasur mundësi": Ndihma e 33-vjeçarit nga Azerbajxhani për Turqinë
Një shtetas azerbajxhanas 33-vjeçar, fotografia e të cilit e tregon atë duke drejtuar një makinë të vjetër me flamur turk në pjesën e sipërme të mjetit të mbingarkuar me ndihma për personat e prekur nga tërmeti në Turqi, është bërë viral në mediat sociale për gjestin e tij.
Duke folur për Anadoly Agnecy, ai ka thënë se e ndiente si detyrë vëllazërore të mbështesë të prekurit nga tërmeti.
“Ne u ulëm bashkë me kushërinjtë e mi ditën e tërmetit në Turqi dhe vendosëm të ndihmojmë vendin vëllazëror, ta mbështesim atë,”- është shprehur Sarvar Bashirli, duke shtuar se edhe gjendja e tyre ekonomike ishte shumë e keqe sepse vetë ata ishin të shpërngulur me forcë nga vendlindja e tyre në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit.

Më tej ai ka treguar se ka mbledhur gjithçka që ka pasur mundësi për t’i dërguar në ndihmë të popullit turk.
Imazhi i makinës së tij, është marrë rastësisht nga kalimtarët dhe është ngarkuar në mediat sociale, duke tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve të rrjetit, të cilët e kanë vlerësuar lart përpjekjen e tij. Shumë përdorues interneti kanë thënë se një gjest i tillë do të ndikojë shumë edhe te personat e tjerë për të bërë punë të ngjashme vullnetare.
