Detajet e fundit nga situata në Turqi e Siri pas tërmeteve vdekjeprurëse
Numri total i vdekjeve në Turqi e Siri ka shkuar në më shumë se 20,000 persona, pas tërmetit shkatërrues të së hënës.
Organi i Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, ka njoftuar numri i të vdekurve në Turqi tani është rritur në 17,134, ndërkohë nga Siria është raportuar se në zonat e kontrolluara nga qeveria kanë humbur jetën 1,347 persona, kurse në zonat e kontrolluara nga rebelët 1,930.
Të paktën 28,044 njerëz janë evakuuar nga Kahramanmaraş, një nga provincat jugore turke më të goditura nga tërmeti i së hënës.
Turqia ka njoftuar se ka marrë premtime ndihme nga 95 vende dhe 16 organizata ndërkombëtare që nga e hëna. Po ashtu është njoftuar se 6,479 punonjës shpëtimi nga 56 vende të ndryshme tashmë kanë arritur në zonat e prekura nga tërmeti.
Franca ka njoftuar një ndihmë urgjente prej 12 milionë eurove për sirianët pas tërmetit, ndërsa është bërë e ditur se kjo ndihmë do të shpërndahet “përmes organizatave joqeveritare dhe OKB-së në të gjitha rajonet e prekura”. Edhe Gjermania ka njoftuar se do të rrisë ndihmën humanitare në Siri me 26 milionë euro.
Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive, AHAD, ka thënë se ka regjistruar pothuajse 650 pasgoditje që nga dy tërmetet e fundit, duke i bërë përpjekjet për shpëtim edhe më të vështira e të rrezikshme.
OKB-ja ka bërë të ditur se do të dërgojë shefin e saj të ndihmës, Martin Griffiths, në Gaziantep, në Turqi, dhe në Aleppo e Damask, në Siri, këtë fundjavë për të vlerësuar se si organizata mund të rrisë më së miri mbështetjen, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, i cili gjithashtu i ka kërkuar qeverisë siriane të lejojë aksesin e ndihmave në veriperëndim të vendit të mbajtur nga rebelët.

