"Nëse kthehet Thaçi do bëhet analist": Qysh nisi përplasja e djeshme me pretendimin arbitrar të Brahos?
Në emisionin “Pressing” që u shfaq mbrëmjen e fundit, u fol për “radikalizimin” e Vjosa Osmanit dhe Glauk Konjufcës ndaj Asociacionit. Por, aty u ‘radikalizua’ më së shumti banaliteti.
Në studio ishin dy analistë kritikë ndaj VV-së, si Ilir Mirena e Valon Syla, dhe analistë mbështetës të VV-së, si Sadri Ramabaja dhe Alisa Braho.
Kjo e fundit do ta merrte gati gjithë vëmendjen, dhe atë përmes një pohimi arbitrar që do të ‘hallakaste’ dy kritikët e Kurtit.
Çka tha Braho?
Sipas znj. Braho, Marrëveshja e Brukselit që u arrit më 27 shkurt dhe ajo e Ohrit që u arrit më 18 mars nuk e përmbanin Asociacionin. Ajo e bazonte një pretendim të tillë arbitrar në faktin se fjala “Asociacion” nuk shkruhej askund në këto dy dokumente.
“Dokumenti është shkruar, është hartuar në atë mënyrë që të mos përmendet Asociacionin. Që t’i japi hapësirë Kosovës që të rrëshkasi në këto detaje...” – u shpreh ajo.
“Fakti është që në dokumentin e nënshkruar në Ohër nuk ka Asociacion,” – u shpreh znj. Braho.
Në fakt, një pretendim i tillë nuk është i vërtetë siç mund të dëshmohet nga fjalët e vetë kryeministrit Kurti apo zv. kryeministrit Bislimi.
Asociacioni ndodhet në nenin 10 dhe nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit, dhe dera zbatimit të tij i çelet në pikat 8, 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së Ohrit.
Por, duket se znj. Braho nuk ishte e informuar gjë që nxiti një reagim të ashpër nga Valon Syla e Ilir Mirena. I pari, madje në disa momente nisi edhe ta imitonte znj. Braho, në përpjekje për ta tallur.
Mirëpo, talljet e përuljet më pas u bënë reciproke.
Sulmet e Alisës
Braho u sulmua personalisht, por edhe sulmoi personalisht pas atij pretendimi arbitrar.
Ai akuzoi Valon Sylën se ishte injorant, derisa Mirenës i tha që “e kishte shkelur rrota e historisë”.
Por, znj. Braho pati ofendime edhe ndaj ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Ajo paragjykoi edhe pafajësinë e prezumuar të tyre, përmes këtyre fjalëve:
“Nuk ju dalin nga burgu, PDK nuk kthehet në pushtet. Natën e mirë, kaloni mirë!”
Por, më herët ajo u shpreh se nëse dilnin nga burgu, ata do të bëheshin analistë.
“Nëse kthehen analista do bëhen edhe ata...”
Çka i shërben kjo shqiptarëve?
Një tjetër argument i saj ishte se debati për Asociacionin nuk ishte në interes të shqiptarëve.
“Çfarë i shërben kjo shqiptarëve, ça i shërben kjo kosovarëve?” - tha në një moment të analizës së saj ajo, për temën e Asociacionit.
Më pas, ajo nisi të fliste më gjerësisht për interesin e shqiptarëve, dhe i tha këto fjalë:
“Po masi je bo ti analiste, bohen krejt,” – ishte përgjigja e z. Valon Syla.
“Ajo që është e rëndësishme për shqiptarët, nuk e di ti, por për shqiptarët po them do të duhet që ne të bazohemi në fakte... nëse ka një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe e cila do të realizohet, e rëndësishme është që ne të vendosemi përpara faktit. Dy, një në radhë të parë presioni edhe nga këto studio të dilte e të shkonte drejt Beogradit. Dy në radhë të parë, nëqoftëse kryeministri i Kosovës është duke bërë rezistencë, mirë të bëhet dhe bravo i qoftë!”
Pse nuk u mbrojt nga Ramabaja?
Megjithëse Braho mund të mos ketë pasur argumente, për sulmet personale ndaj saj nuk u mbrojt as nga Sadri Ramabaja që i ndodhej në krah.
Madje, në një moment anëtari i VV-së komentohet nga Ilir Mirena se ishte “skuqur” nga ato që i thoshte znj. Braho.