“Nëse duan betejë, do ta kenë”, shumë reagime pasi VV po kërkon që të përsëritet votimi me postë - NACIONALE

“Nëse duan betejë, do ta kenë”, shumë reagime pasi VV po kërkon që të përsëritet votimi me postë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mërgatë a jeni gati? Me votat brenda vendit, Vetëvendosje mori 48 deputetë. U trumpetua shumë nga zyrtarë të tyre e militantë, se kur të numërohen votat e diasporës, partia e Kurtit do të shkoj në 51 mandate, për të qeverisur vet. Ekspertët sugjeronin ndryshe; VV mbetet në 48 deputetë ose maksimumi në 49. Pas numërimit të të gjitha votave nga diaspora, Vetëvendosje, mbeti në 48 sosh. U nervozuan keq. Shanë të madh e të vogël në Facebook, dhe tash në fund duke përdorur mjetin juridik “ankesë”, po kërkojnë anulimin e plotë të votave me postë dhe përsëritje të votimit.

Shumë reagime, pasi u publikua ky dokument. Doarsa Kica-Xhelili e LDK-së, e cila ishte njëra nga deputetet më të votuara nga rradhët e partisë që përfaqëson, por edhe etiketuar në ankesën e Vetëvendosjes, u ka thënë këtyre të fundit se, nëse duan betejë, atë do ta kenë.

Nuk do t’i lëmë! Nëse duan betejë, betejë do të kenë!” – ka shkruar ndër të tjera ajo.

Tuje ajo e ka quajtur mendësi kriminale një gjë të tillë. “Këta duan t’i marrin 51 mandate përmes manipulimit - si gjithçka tjetër! KJO është strategjia. Kjo është logjika. Kjo është forma e të menduarit kriminal.” – ka shkruar ndër të tjera, Kica-Xhelili.

Eugen Cakolli nga IKD ka komentuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje e cila po kërkon anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.

Sipas tij kjo çasje “all-in” e dëmton procesin. Duhet të ketë hetim të thelluar i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim, ka thënë ai.

“Në vend të një qasje “all-in” që rrezikon të cenojë besimin në procesin zgjedhor, një hetim i thelluar dhe i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte një zgjidhje më e drejtë dhe më e qëndrueshme.” – ka shkruar Cakolli.

Ndërkohë Shënoll Muharremi, statisticient ka theksuar se ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje në PZAP për të anuluar të gjitha votat me postë, si dhe shkuarjen në rivotim, nuk është një strategji e duhur për vet VV-në. Sipas tij, subjekti i Kurtit me këtë gjë, veç rezikon humbjen e një mandati.

Ndërkohë, gazetari Adriatik Kelmendi e komentoi me ironi këtë zhvillim duke theksuar ndër të tjera se, “Nuk e di pse Vetëvendosje! nuk po kërkon që të anulohen të gjitha votat e të tjerëve?!”, kjo sipas tij ndoshta do ta mundësonte shifrën prej 500 mijë votave, aq sa kishin kërkuar në fushatë, subjekti që udhëhiqet nga Kurti.

Çka thuhet në dokument?

Lëvizja Vetëvenodsje ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku ka kërkuar hiç më pak se anulimin e plotë të votave me postë, si dhe përsëritje të votimeve. Në dokumentin që ka parë Gazeta Nacionale, Vetëvendosja ankohet sidomos në LDK-në, që sipas tyre morën shumë vota me postë nga mërgata, ndërsa pak në konsulata. Kjo sipas Vetëvendosjen përbënë bazë të dyshimt për procesin zgjedhor. Në ankesën e tyre përmendet edhe fakti se disa kandidatë u votuan shumë, sikurse Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hysen Çekaj e Gazmend Muhaxhiri. Andaj Vetëvendosja ka kërkuar që procesi të anulohet krejt, e të votohet sërish nga fillimi me postë.

Prandaj duke e dituar (kështu shkruan në dokument, dituar për ditur) që në secilin fletëvotim të ardhur me postë ka pasur manipulime të tilla, është dëmtuar integriteti zgjedhor, është cenuar e drejta e votimit siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligj, prandaj në bazë të nenit 120 të LZP-së, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, ndërlidhur me nenet 101 dhe 106 të LZP-së, kërkojmë nga PZAP që të ANULOJË rezultatet e votimit me postë dhe njëkohësisht ta URDHËROJË KQZ-në që të përsërisë votimin” – thuhet ndër të tjera aty.

Lajme të ngjashme