Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë të zhgënjyer: Kosova ka mundur të bëjë më shumë - NACIONALE

Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë të zhgënjyer: Kosova ka mundur të bëjë më shumë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilin kishin privilegjin ta nënshkruajnë Deklaratën e Pavarësisë, kanë komentuar të arritur e shtetit të Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore.

Ata janë shprehur të bindur se gjatë këtyre 15 viteve ka mundur të bëhet më tepër në disa fusha.

Në rrëfimet e tyre për gazetën Nacionale, ish-deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, LDD-së dhe AKR-së kanë vlerësuar se qeveritë e deritashme kanë thyer shpresat e qytetarëve të Kosovës.

Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se qeveritë ua kanë humbur shpresën kosovarëve.

15 pas janë mjaftë të arritura të shtetit të Kosovës, në aspektin e ndërtimit e zhvillimit të administratës dhe infrastrukturës në Kosovë. Por 15 vjet pas nuk është me ai vullnet nuk ekziston ajo frymë e zhvillimit dhe perspektives. Sot 15 vjet pas shteti jonë me pa aftësi të ndryshme qeveritare, me neglizhenca e shantazhe të ndryshme, qytetarëve të Kosovës ju ka vra shpresën e jetës në Kosovë, ju ka thy besimin që do të mund të jetojnë e mbijetojnë në këtë tokë të shenjtë të larë me gjak”, ka thënë Hasani

Ai ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës kanë mundur të jetojnë më mirë.

Sot qytetaret tanë luftojnë për mbijetesë, kur me gjithë pasurin e resuerset ekonomike qe ka Kosova ne duhej te ishim më mirë se rajoni dhe të paret në zhvillim ekonomik me mirëqenie të lartë”, është shprehur ai për gazetën Nacionale.

Edhe ish-deputeti i AAK-së, Haki Shatri, i cili ka qenë edhe ministër Financave, ka thënë se në disa fusha Kosova ka ngecur.

Kemi pritë e shpresuar shumë më shumë. Kemi mujtë me bë edhe shumë ma shumë sepse kemi qenë te lirë me punu e vepru. Jemi tregu të dobët karshi tundimeve për kënaqesi e pasuri. Megjithatë, kur e kthej kokën prapa dhe e kujtoj ku kemi qenë e ku jemi, mendoj se me ne shqiptarët e Kosovës ka ndodhë mrekulli”, është shprehur Shatri.

Kurse, ish-deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani, është shprehur e brengosur me raportet e Kosovë-SHBA.

Për këtë, ajo ka kritikuar Qeveria Kurti.

“Jam deputete e dy mandateve, por kurrë nuk kam besuar që vijmë deri këtë situatë me i acaruar marrëdhëniet edhe me SHBA-të. Nuk kisha menduar që Kosova e pret ditën me protestu kundër ShBA-së. Kjo është Qeveria e axhamive, qeveri e njerëzve që e kanë armiqësu Kosovën me botën”, ka thënë ajo.

Më optimiste është shprehur ish-deputetja e LDK-së, Njomza Emini.

“Jemi të vetëdijshëm se çdo herë ka mundësi të bëhet më tepër, megjithatë nga ku kemi qenë e ku kemi mbërri është shumë e natyrshme që të vlerësojmë të arriturat. Ka shumë mungesa ende, ka probleme me të cilat përballemi çdo ditë, megjithatë nuk duhet asnjëherë të harrojmë në cilën gjendje ishim. Me mungesa të jashtëzakonshme në infrastrukturë, arsim, shëndetësi e shumë fusha tjera. A ka ndrruar gjendja në formën më të mirë? Jo, megjithatë lëvizjet nuk janë ndalë ende. Ka ndikuar që edhe kontributi i secilit nga qytetarët të shihet në vendosjen e gurëve në ndërtim të shtetit”, është shprehur Emini.

Ndërsa, ish-deputeti i LDD-së, Naser Rugova, ka treguar fushat ku ka mundur këtë më shumë suksese Republika e Kosovës.

Ai thënë se në arsim e shëndetësi Kosova ka mundur të zhvillohet më shumë.

Si nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë kam pritur më shumë dhe kamë pritur më mirë. Megjithatë, duhet të jemi optimist dhe të punojmë më shumë, ta duam këtë vend më shumë, sepse si njerëz që patëm fatin ta nënshkruajmë deklaratën e pavarësisë, kemi përgjegjësi edhe për brezat e ardhshëm. Konsideroj se ka mundur të bëhet më tepër, sidomos në arsim dhe shëndetësi, sepse i kemi pasur duart e lira”, ka thënë Rugova.

Lajme të ngjashme