Nën ankthin për mandatin e saj, Osmani “harron” t’u kërkojë partive kandidatët për anëtarë të KQZ-së - NACIONALE

Nën ankthin për mandatin e saj, Osmani “harron” t’u kërkojë partive kandidatët për anëtarë të KQZ-së

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Vetëm edhe 5 ditë kanë mbetur afat për të zgjedhur presidentin e Kosovës dhe në rast të dështimit, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen më 12 ose 19 prill të këtij viti.

Pavarësisht se vendi mund të hyjë në një proces të ri zgjedhor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka bërë asnjë hap për të funksionalizuar përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, raporton Nacionale.

Një proces i ri zgjedhor pa përbërjen e re të KQZ-së do të rrezikonte jo vetëm legjitimitetin politik, por edhe kushtetutshmërinë e zgjedhjeve.

Emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së nuk është çështje diskrecioni politik, por obligim i qartë ligjor për presidenten e vendit, i përcaktuar me afat të vendosur qartë në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vetëm edhe 10 ditë i kanë mbetur afat presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për t’i kërkuar grupeve parlamentare që të propozojnë kandidatët për anëtar të KQZ-së, përbërja e të cilit duhet të mbështetet në rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe të certifikuara nga KQZ në mbledhjen e 9 shkurtit 2026.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 61 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Më tej, në këtë paragraf, qartësohet se “grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej shtatë (7) ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga Presidenti bëhet brenda pesë (5) ditësh nga dërgimi i propozimeve”.

Nëse këto afate shfrytëzohen maksimalisht, grupet parlamentare duhet që deri më 18 mars të propozojnë me shkrim emrat për anëtarë të KQZ-së dhe presidenti të bëjë emërimin e tyre brenda 5 ditëve tjera, pra më së largu deri më 23 mars 2026.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, fuqia e partive shqiptare në KQZ do të mbetët e njëjtë.

Kjo do të thotë se Vetëvendosje dhe PDK do të kenë nga 2 anëtarë, kurse LDK dhe AAK nga një anëtar.

Katër anëtarë të tjerë të KQZ-së, do të emërohen nga radhët e komuniteteve.

KQZ pa legjitimitet

Mungesa e veprimit nga ana e Vjosa Osmani mund të krijojë një boshllëk institucional dhe nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pa u konstituuar përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi zgjedhor do të administrohej nga një trupë që nuk reflekton vullnetin e dalë nga zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit 2025.

Nëse anëtarët e KQZ-së nuk emërohen sipas afateve dhe formulës që kërkon ligji, vendimet e këtij institucioni mund të vihen në pikëpyetje jo vetëm politike, por edhe juridike.

Kjo pasi gjatë pjesës më të madhe të një procesi të mundshëm zgjedhor puna e tyre do të ishte jashtë kohëzgjatjes së mandatit.

Kjo nënkupton se asnjë nga anëtarët e KQZ-së nuk do të kishte legjitimitet, përveç kreut të KQZ-së, mandati i të cilit skadon shumë më vonë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, organizimi i zgjedhjeve është detyrë e KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”, thuhet në nenin 139 të Kushtetutës.

Lajme të ngjashme