Në QKUK më në fund funksionalizohet spitali i çelur para shtatë muajsh
Në QKUK është funksionalizuar më në fund spitali Pediatrik i cili ishte përuruar qysh para shtatë muajsh. “Sheikha Fatima” është spitali më i ri në Qendrën Universitare të Kosovës, i cili e filloi punën sot.
Dy operacione te dy fëmijë kanë shënuar sot nisjen e punës në spitalin më të ri në QKUK. Bëhet fjalë për spitalin e Pediatrisë i cili ishte përuruar më 13 shtator të vitit 2021. Por funksionalizimi i tij, u bë vetëm me 28 mars të viti 2022.
Puna aty ka filluar pjesërisht, ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar se shërbimet aty do të zgjerohen gjatë ditëve në vijim.
“Në zbatim të planit të veprimit për funksionalizimin e këtij spitali, sot në ditën e parë të funksionalizimit të këtij spitali janë kryer dy operacione të fëmijëve si dhe kanë filluar aty punën ambulanca specialistike për fëmijë, emergjenca pediatrike dhe kirurgjia spcialistike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

E fillimisht Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hematoonkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë, ndërkohë që pritet të transferohen edhe neonatologjia, shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë.
Tutje spitali pediatrik – kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore; ato të Traumës; shërbimet e Observimit dhe Rikuperimit; shërbimet e ambulancave specialistike pediatrike dhe kirurgjike; Njësinë e Radiologjisë së fëmijëve; Sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara; Njësinë e Kirurgjisë Ditore dhe Endoskopisë së Fëmijëve; Sterilizimin qendror; Mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të të porsalindurve; Departamentin e Kirurgjisë së fëmijëve dhe Departamentin e Onkologjisë Pediatrike.

“Spitali pediatrik – kirurgjik në QKUK pritet të shënojë një kthesë të rëndësishme sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore terciare që do t’u ofrohen fëmijëve në Kosovë, ndërsa MSh falënderon edhe me këtë rast Emiratet e Bashkuara Arabe për këtë investim kapital dhe zemërgjerë për fëmijët e Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë së shëndetësisë.
E ky spital është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe në të cilin janë investuar më shumë se 22 milionë euro.
Më 13 shtator të vitit 2021, ky spital u përurua nga ana e krerëve të shtetit. Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati thënë se ky është një nga spitalet më moderne në rajon.

E thirrje për funksionalizim të këtij spitali kanë bërë gjatë gjithë kohës profesionistë të shumtë shëndetësorë.
Profesor Mazllum Belegu nga organizata GOLI në një prononcim për Nacionalen ditë më parë ka theksuar se po të ofronte shërbime ky spital, atëherë numri i fëmijëve që dërgohen jashtë vendit për shërim, do të zvogëlohej ndjeshëm.
“Po të ishte në funksion spitali pediatrik, i riu, do të funksiononim shumë më lehtë. Unë nuk e di përse nuk po funksionalizohet. Unë këtë punë nga viti 2009 e punoj. U kam thënë atëherë që nuk është zgjidhja që të sjellim ekipe, e as me i çu fëmijët dika. Zgjidhja është me i bo njerëzit tanë. Nisjani tash iu pata thanë ‘po, po, po’. E po e shohim deri tash ende nuk janë ba ekipe", pati deklaruar Belegu.
E më 21 mars të vitit 2016, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, atë kohë ministre e Emirateve të Bashkuara Arabe, kishin vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së. Marrëveshja për ndërtimin e tij është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite të Jahjagës në Abu Dhabi.
Ndërsa realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018. /Nacionale.com/