Edi Rama publikon agjendën e vizitës në Kosovë, "në pritje të konfirmimit" për takim me Kurtin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot pasdite do të qëndorjnë në Kosovë. Tashmë dihet që Rama do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe me kryetarin e Kuvendit, Galuk Konjufca, mirëpo Rama në agjendën e tij, ka bërë të ditur se është në pritje të konfirmimit për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar agjenden e tij për vizitat në Kosovë, Maqedoni Veriore, Serbi dhe në Mal të Zi.
Rama ka njoftuar se ende nuk dihet nëse do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka bërë të ditur se do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. Rama me presidenten Osmani do të takohet në ora 16:00, ndërsa me Konjufcën në ora 17:15.
Ndërsa, te ora e Kurtit e ka shkruar se “në pritje të konfirmimit”.
Rama pastaj në 20:45 do të ketë intervistë në Klan Kosova.
Refuzimi i Kurtit për takim
Ndërkohë, kryeministri Kurti të mërkurën në konferencë për media, ka bërë të ditur se me Ramën mund të takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte anuluar në qershor.
Kurti ka thënë se meqë Rama do të qëndrojë në Kosovë, ka kërkuar që të mbahet mbledhja e dy qeverive e cila ishte anuluar kohë në qershor nga qeveria shqiptare.
“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejt më kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama edhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Është thënë që ky tur ballkanik ka të bëjë më përgatitje të samitit të radhë të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor, pra më shumë sesa tre muaj prej tani dhe unë miqësisht i kam kërkuar Ramës meqë do të vijë e të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë që ta mbajë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anulua paarsyeshëm”
“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakordohen dhe të mos mbeten në sirtarë sepse nga to nuk fitojnë kryeministrat por qytetarët. Dhe unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen në këto le ta mbajë edhe një mbledhje të përbashkët të qeverive tona, t'i nënshkruajmë ato marrëveshje që janë në sirtar.”
“Nuk lëngon raporti Kosovës-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë e konsideroj të nevojshme mbledhjen e dy qeverive, por jo takime të tjera,” –ka thënë ndër të tjera kryeministri i Kosovës.
Ndërkaq, për refuzimin e Kurti, kryeminsitri Rama nuk ka pranuar ta komentojë.
Ai dje gjatë ditës tha se do të flasë në Prishtinë për këtë gjë.
“Nuk kam lidhje me këtë. Jam këtu për këtë vendim. Për sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe gjithë turit do të flas kur të jetë koha për të folur, që është nesër në Prishtinë.” – u shpreh kryeministri Rama.
Kujtojmë se raportet mes Kurti dhe Ramës ditëve të fundit janë më të tensionuar për shkak të situatës në veri të vendit.



