Në Prishtinë dhe Beograd – Bekim Gashi dy dekada në kërkim të drejtësisë - NACIONALE

Në Prishtinë dhe Beograd – Bekim Gashi dy dekada në kërkim të drejtësisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

I kobshëm ishte 25 marsi i vitit 1999 për fshatin Tërnje në Suharekë. 30 persona u vranë e u masakruan nga forcat ushtarake e paramilitare serbe. Gjithë tmerrin e asaj dite e pa Bekim Gashi, i cili në këtë maskër humbi nënën dhe katër motrat. Që nga viti 2000 e tutje, Bekimi do të kthehej në simbol të rezistencës e luftës për drejtësi. Drejtësi të cilën ai e kërkoi për gati një dekadë midis Beogradit. Gazeta Nacionale sjell rrëfimin e Bekim Gashit, dhe betejën e tij për drejtësinë e bekuar.

“Ende më rrinë në mendje britmat e nanës që kërkojke ujë, e s’kisha mundësi me i dhanë.”

Marsi është muaji më i vështirë për Bekim Gashin. Si i mbijetuar i masakrës në fshatin Tërnje të Suharekës, ai e ka të pamundur t’i harrojë momentet kur më 25 mars të vitit 1999, u nda nga familja e tij.

“Më 25 mars, ka qenë ora 06:00 e mëngjesit. Kam qenë në shtëpi bashkë me nënën dhe katër motrat. U rrethuam nga forcat serbe, e me insistimin e nënës jemi ndarë nëpër shtëpi të familjarëve pasi nuk kemi mujtë me u largu. Në shtëpinë ku kam qenë unë, të axha Bajram e kanë gjuajtë serbët një bombë. E në shtëpinë ku ishte nëna me katër motrat, i kanë nxjerrë në mes të oborrit edhe i kanë ekzekutu.” Në këtë moment, Bekimi ka nevojë për pak pushim. Rikthimi i këtyre emocioneve me fjalë, duket se ia kthen edhe pamjet e tmerrshme të asaj dite.

Dhimbja i shtohet pasi 23 vjet pas luftës, trupat e nënës dhe katër motrave të tij, ende nuk janë gjetur.

“Në përvjetor si ky, të gjithë kanë vende me vendosë lule, unë që 23 vjet nuk kam asnjë informatë nga askush. E vështirë është”, tregon Bekim Gashi për gazetën Nacionale.

Nga 30 të vrarët në masakrën e fshatit Tërnje të Suharekës, 17 prej tyre, sot e asaj dite figurojnë të zhdukur.

Destinacioni Prishtinë-Beograd, drejtësia e munguar dhe triumfi i Bekimit

Menjëherë pas përfundimit të luftës, për Bekim Gashin do të niste një betejë tjetër. Ajo që të siguronte drejtësi për anëtarët e familjes që u vranë nga forcat serbe. Për dikë mbase mund të duket e pabesueshme, por pikërisht në Serbi, Bekimi e zhvilloi krejt këtë betejë.

Interesimin e tij, Gashi e nisi nga gjykimi i Sllobodan Millosheviqit. Aty u zbuluan edhe njësitet që morën pjesë në kryerjen e krimit në Tërnje. Brigada e udhëhequr nga Bozhidar Deliq, me kolonelë Pavle Gravriloviq e Rajko Kozlina. Këta ishin personat përgjegjës për vrasjen e 30 civilëve suharekas. Ndaj këtyre dy të fundit, në majin e vitit 2008, Bekim Gashi kishte dorëzuar padi në Prokurorinë e Serbisë.

Një komunikim me zyrtarët e EULEX-it e kishte irrituar Bekimin. “Ka me u mbajtë një seancë për njëfarë vrasje”, i kishte thënë një zyrtar nga ky mision atij. “Jo njëfarë vrasje, por për familjen teme”, ia kishte kthyer Bekimi.

Prej vitit 2008 deri më 2013 e kam ditur vetëm që është caktuar një prokuror për këtë rast. Më 2013 prokurorët serbë erdhën në Kosovë, edhe në shtator të vitit 2013 u ngrit aktakuza por jo ndaj të gjithëve. Vetëm ndaj Gavriloviqit dhe Rajko Kozlinës”, rrëfen Bekim Gashi.

Për gati 5 vjet, Beogradi ishte destinacioni kryesor i Bekimit. Mbi 50 herë ai thotë se ka shkuar në gjykatore. Aty është përballur edhe me provokime. I shikonte në sy perosnat përgjegjës që ia vranë familjen. Por, reagimi ose tërheqja nuk ishte opsion për Bekim Gashin. Ai nuk u zmbraps deri në fund.

“Më shumë ka pasur shtyrje. Nëse brenda vitit duhej të mbaheshin 12 seanca, 9 anuloheshin. Qëllimi ka qenë që unë me u tërheq nga ky rast. Gjykimet nuk kanë qenë reale, vetëm sa me i thënë Evropës po bëhet diçka. Ka pasur provokime gjatë seancave, nëpër holle të gjykatave. Krejt këtë luftë e kam bërë vetë, asnjë më të voglën ndihmë nga institucionet nuk e kam pasu”, tregon i mbijetuari i masakrës në Tërnje të Suharekës.

Epilogu i gjykatës erdhi. Për herë të parë Serbia e pranoi zyrtarisht një krim të kryer në Kosovë, pavarësisht se me vendim që Bekimi e vlerëson të padrejtë. Rajko Kozlina u dënua me 15 vjet burgim, kurse Pavle Gavriloviq u lirua. Megjithatë, në burg nuk përfunduan asnjëri. Kjo pasi kur erdhi momenti që Kozlina të shkonte në vuajtje, ai u arratis. E këtu gisht kishte pushteti i Beogradit zyrtar. Kjo pasi Kozlina ishte me funksion publik në Ushtrinë e Serbisë.

“Rajko Kozlinën e dënuan me 15 vjet burgim për vrasjen e 15 personave. Gjykata nuk e dënoi krejt zinxhirin komandues, por e fajësuan vetëm këtë individ. Ai tash është në arrati me ndihmën e shtetit serb, i cili ua ka ndërruar edhe adresën, sepse ndryshe nuk kish’ mujtë me ikë.”

Megjithtë Bekimi ndihet se ka fituar diçka. Edhe pse jo drejtësinë, të cilën thotë se që nga fillimi e kishte ditur se nuk do të ngadhënjente.

E kam ditë që gjykimi nuk do të jetë i drejtë. Çfarëdo dënimi që ata kishin marrë, mua nuk ma kthen familjen. E kam pasë një synim që gjatë procesit me u zbulu ku kanë mbetur trupat. Kam punu e kam luftu vetë, me krejt ushtrinë e Serbisë. Diçka kam arritë: është procesu një krim dhe Serbia e ka pranu atë krim, e ka pranu që e ka kryer atë masakër”, ishin fjalët e fundit të Bekimit.

Forcat e njëjta paramilitare serbe, një ditë më pas vazhduan terrorin. Më 26 mars të vitit 1999, u krye masakra në familjen Berisha, pikërisht në Suharekë. Aty mbetën të vrarë më shumë se 50 të vrarë të kësaj familjeje.

Serbia fsheh kriminelët

Pavle Gavriloviq e Rajko Kozlina, përgjatë gjithë gjykimit luanin me gjykatën. Herë shkonin, e herë jo. Këtë tallje e çuan deri në fund. Rajko Kozlina u arratis, e Gavriloviq endet në liri me detyra zyrtare në pushtetin serb.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd ka konfirmuar për gazetën Nacionale, se institucionet serbe nuk kanë shfaqur interesim për arrestimin e Kozlinës. Madje, nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet ai.

“Ai nuk është i disponueshëm për autoritetet serbe. Institucionet e Serbisë janë përgjegjëse për ndjekjen penale, por edhe për të siguruar që i dënuari ta vuajë dënimin. Arratisja nuk do të mund të realizohej pa mbështetjen e institucioneve që i mundësojnë Kozlinës kalimin e kufirit”, ka thënë Fondi për gazetën Nacionale.

Shpresë për gjykimin e qindra masakrave në Kosovë, nuk ka. Madje as në Dhomat e Specializuara. Pavarësisht që sipas legjislacionit të Gjykatës Speciale aktakuza mund të ketë edhe ndaj serbëve, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme.

Fotografitë janë shkrepur nga: Valdrin Xhemaj - Gazeta Nacionale.

Lajme të ngjashme