"Në përputhje me Kushtetutën", Konjufca 'heq gajlet' e Asociacionit nga një "shikim sipërfaqësor" - NACIONALE

"Në përputhje me Kushtetutën", Konjufca 'heq gajlet' e Asociacionit nga një "shikim sipërfaqësor"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vizita e fundit e pesëshes së famshme evropiane në Prishtinë dhe Beograd po rezulton të jetë një nga më të rëndësishmet për Kosovën. Kjo pasi vetëm pak ditë pas këtyre vizitave, Bashkimi Evropian tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Detajet e 'modernitetit' të këtij propozimi nuk dihen ende.

Edhe pse nuk u dhanë detaje, zëdhënësi i BE-së Peter Stano konfirmoi dje 'propozimin modern' për Asociacionin.“Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano mes tjerash.

Stano shtoi se priten “hapa të shpejtë” nga Kosova dhe Serbia si parakusht për të treguar gatishmërinë për të vazhduar procesin e normalizimit.

Priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte”.

Deri më tani, i vetmi që ka komentuar planin e BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ndonëse nga një "shikim sipërfaqësor", Kreu i Kuvendit guxoi të bënte një deklaratë serioze rreth këtij propozimi. Ai tha se plani i BE-së është “në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor. Por po, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovës. Por, edhe kjo nuk mendoj se është temë e negociatave me Serbinë.” – ka thënë Konjufca, pas seancës gjyqësore që ka pasur, transmeton T7.

Argumentimi i Konjufcës me Kushtetutën e Kosovës është kritikuar nga politologu Shkodran Ramadani, i cili në disa pika ka elaboruar absurditetin e situatës.

Në kontekst të deklaratës së Konjufcës, Ramadani tha se “bëhet fjalë për Kushtetutën që këta e shohin si akti më i lartë juridik kundër shtetit te Kosovës”.

Sipas politologut Ramadani, problemi i radhës që kontribuon në absurditetin e pohimeve nga kreu i Kuvendit janë “gënjeshtra dhe manipulimet” e Vetëvendosjes lidhur me marrëveshjet paraprake që parashikonin formimin e Asociacionit në përputhje me kushtetutshmërinë e vendit.

“Marrëveshjet e kaluara po ashtu kanë paraparë që Asociacioni do te formohet konform kushtetutës, por Vetëvendosje në mënyrë agresive ka gënjyer e manipuluar rreth kësaj teme.” – tha ai.

Lajme të ngjashme