Në mars s’e takoi, zyrtarja amerikane flet për Kurtin: Politika nganjëherë hedhë hije mbi punën e mirë që ne bëjmë
Në mars nuk e takoi, megjithatë, në vizitën e realizuar këtë javë, ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee është takuar me kryeministrin Albin Kurti. Ndërkohë, në një intervistë të publikuar të shtunën, ajo flet edhe për marrëdhëniet me qeverisjen e këtij të fundit.
Njëra prej pyetjeve që iu shtrua McKee nga “REL” është ajo në lidhje me deklaratat e zyrtarëve amerikanë se ShBA është sfiduar nga Qeveria e Kosovës e cila drejtohet nga Albin Kurti.
Asaj i janë përmendur edhe shqetësimet e ngritura në lidhje me partneritetin mes dy vendeve.
“Mendoj se çdo partneritet, qoftë ai një martesë apo partneritet strategjik dypalësh, ka ngritjet dhe uljet e veta. Por, gjithashtu mendoj se, nga ajo që kam parë gjatë këtij udhëtimi, ju i kapërceni pengesat ekzistuese dhe identifikoni bazamentin e përbashkët, qëllimet e përbashkëta drejt realizimit të të cilave keni punuar dhe vazhdoni të punoni së bashku, përgjatë qeverive të ndryshme të Kosovës dhe administratave të SHBA-së.
Mendoj se, ashtu siç e keni parë gjatë punës sonë, partneriteti ynë, veçanërisht me popullin e Kosovës, ka mbetur i qëndrueshëm dhe i palëkundur.” – tha fillimisht McKee.
Sidoqoftë, ajo ka theksuar se “politika, nganjëherë mund të hedhë hije mbi punën”.
“Politika nganjëherë mund të hedhë hije mbi punën e mirë që ne bëjmë, që populli amerikan dëshiron të bëjë me popullin e Kosovës. Dhe mendoj se, siç e keni parë, prania jonë, programet dhe puna jonë kanë mbetur të pandryshuara.” – u shpreh ajo.
Në mars, McKee s’e takoi Kurtin
Siç kishte raportuar Nacionale, gjatë muajit mars të këtij viti, Erin E. McKee kishte qëndruar për disa ditë në Kosovë.
Pavarësisht se mori pjesë në disa ngjarje e zhvilloi takime me disa zyrtarë, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, ajo s’u pa edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Ambasada amerikane në Kosovë, atë kohë kishte konfirmuar zyrtarisht për Nacionalen se ndihmës administratorja e USAID-it, Erin E. McKee nuk është takuar me Kurtin. Megjithatë, arsyet për mungesën e këtij takimi, nuk ishin dhënë.
“Në funksion të rolit tonë, diplomatët takohen shpesh me përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile, media dhe publiku. Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Asistent Administratorja McKee theksoi prezencën 25-vjeçare të USAID-it në Kosovë dhe u takua me të rinj, gra ndërmarrëse, donatorë, media dhe përfaqësues të zgjedhur të qeverisë për të theksuar partneritetin e qëndrueshëm të USAID-it me popullin e Kosovës. Ndihmës Administratorja nuk u takua me Kryeministrin gjatë vizitës së saj.” – na tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane.
Ishte kjo periudha kur ShBA deklarohej me tone të ashpra ndaj Kosovës pas vendimit për ndalimin e pagesave me dinarë serb.
Për “mosmarrëveshje me qeveri specifike”, McKee kishte folur pikërisht gjatë kësaj vizite në Kosovë në një konferencë të përbashkët për media pas takimit që kishte me presidenten Vjosa Osmani.
“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm.” – deklaronte ajo.