Në Kosovë asnjë deputet i varfër, Britania kërkon ta rris numrin e tyre pas hulumtimit shqetësues - NACIONALE

Në Kosovë asnjë deputet i varfër, Britania kërkon ta rris numrin e tyre pas hulumtimit shqetësues

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës nuk është i vetmi në botë ku ka mungesë të deputetëve që përfaqësojnë shtresën e varfër. Një hulumtim i ri ka treguar se ka një “hendek të madh përfaqësimor” edhe në parlamentin britanik, por ku po bëhen thirrje që kjo gjë të ndryshojë.

Vetëm 1% e deputetëve aktualë nga Partia Konservatore kanë hyrë në parlament pas ndonjë pune të klasës punëtore.

"Vetëm 7% e të gjithë deputetëve mund të konsiderohen si “klasë punëtore”, krahasuar me 34% të të gjithë të rriturve britanikë në moshë pune. Ndërkohë, 13% e deputetëve laboristë u futën në parlament nga ndonjë punë e klasës punëtore – që megjithatë përbën një përgjysmim përfaqësimi nga vitet ’80."

Nacionale kishte raportuar për mungesën e përfaqësimit të shtresës së varfër edhe në Parlamentin e Republikës së Kosovës, ku varfëria është ndjeshëm më e lartë se në Mbretërinë e Bashkuar. Sa i përket matjeve përmes punëve të kryera në Klasën Punëtore, të dhënat mungojnë.

Por, artikulli i përgatitur nga The Guardian e i përkthyer nga Nacionale përveç arsyeve të informimit, ka edhe arsye të emancipimit në lidhje me nevojën e përfaqësimit të drejtë klasor.

Analizat e bëra nga hulumtuesit prej Institutit për Hulumtime të Politikave Publike (IPPR) publikohen në kohën kur palët po kalojnë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme.

“Proporcioni i britanikëve që i takojnë klasës punëtore po ashtu ka rënë, por rënia mes deputetëve ka qenë dyfish më e shpejtë,” – shkruan gazeta.

Sipas The Guardian, studimet e mëparshme kanë treguar që përfaqësuesit e klasës punëtore janë më të prirë për ët mbështetur veprime që sfidojnë pabarazinë ekonomike dhe mbështesin politika rishpërndarëse.

“Proporcioni i deputetëve konservatorë me prapavijë të klasës punëtore ka qenë nën 5% për të paktën 50 vitet e fundit,” – shkruan më tej, The Guardian.

Në zgjedhjet e vitit 1987, 28% e deputetëve Laboristë vinin nga punë të klasës punëtore pas zgjedhjeve të vitit 1987.

Liderja e deputetëve Laboristë, Angela Rayner, ka kërkuar veprime nga të dy partitë që të përmirësohet qasja për më shumë deputetë nga klasa punëtore në parlament.

“Ata që punojnë në punë të pasigurta e të punuara më keq është më pak e mundshme që të kenë fleksibilitetin apo t’ju lejohet që të marrin kohë të lirë nga puna (për t’u angazhuar në politikë). Ta shtysh veten në jetën publike mund të mos jetë vetëm angështuese, por edhe të kërkojë dedikim të madh në kohë dhe para – gjëra që janë të paqasshme për shumë prej nesh. Neve na duhen diskutime të sinqerta ndër-partiake se si të rrisim pjesëmarrjen në demokracinë tonë, dhe t’iu japim njerëzve të rëndomtë më shumë mundësi dhe mbështetje për të garuar.” - u shpreh ajo.

Instituti në fjalë ka gjetur dy faktorë kryesorë që kanë nxitur këtë rënie të numrit të deputetëve me prapavijë të klasës punëtore.

E para kishte të bënte me sindikatat, të cilat e kishin më të pamundur se më parë që të ofronin një rrugë drejt politikës për kandidatët e klasës punëtore. Dhe e dyta, për shkak se kërkohej shumë kohë e para për t’u bërë kandidatë politikë sa që ishte bërë “pengesë e pakapërcyeshme”.

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu është akuzuar nga opozita e tij se asnjëherë gjatë moshës madhore nuk ka pasur një punë në tregun kosovar të punës.

Lajme të ngjashme