Ndryshimi “akrobatik” i Gërvallës: Sot votoi në Kosovë, në shkurti kishte votuar në Gjermani
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është e vetmja kryediplomate që për zgjedhjet nacionale të vendit të saj ka votuar në dy shtete të ndryshme.
Ajo sot ka votuar në Kosovë, kurse në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit ajo kishte votuar në Gjermani.
Ndonëse për katër vite kishte jetuar dhe punuar në Kosovë, në zgjedhjet e fundit ajo ishte deklaruar si shtetase e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
Gazeta Nacionalekishte raportuar se në këtë mënyrë ajo kishte shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili në mënyrë të qartë tregon se vetëm shtetasi e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës.
Gërvalla, e cila është njëra prej drejtuesve të partisë Guxo, ka treguar se ka ndryshuar shtetin e votimit.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka njoftuar se ka votuar në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.
“Në një ditë kaq të bukur si kjo, festa e demokracisë po ndihet kudo. Në shkollën “Naim Frashëri”, entuziazmi për të votuar ishte i prekshëm gjithandej, që në orët e hershme të mëngjesit. Korridore të stërmbushura, radhë të gjata, fytyra të qeshura dhe vullnet i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Republikës sonë për ta kthyer këtë ditë në një festë të vërtetë të demokracisë. Në një atmosferë të tillë, votova edhe unë, për Kosovën, për Republikën tonë. Demokracia është zemra e shtetit të Kosovës. Andaj, dil të lutem e voto edhe ti, secili e secila, që të gjithë. Shfrytëzo të drejtën tënde, sepse vota jote është arma jote më e fuqishme”, ka shkruar Gërvalla në profilin e tij në “Facebook”.
A kishte mashtruar Gërvalla në 9 shkurt?
Gazeta Nacionale kishte raportuar se regjistrimi i kryediplomatës Donika Gërvalla si shtetase që jeton jashtë vendit nuk ishte në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Kjo pasi në momentin e regjistrimit online, ajo i ishte paraqitur KQZ-së si shtetase e Kosovës që jeton jashtë vendit, ndërsa nga marsi i vitit 2021 Gërvalla është zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.
Me një veprim të tillë kryediploatja duket se kishte mashtruar KQZ-në, meqenëse ajo nuk jeton jashtë Kosovës.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në mënyrë të qartë tregon se vetëm shtetasi e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës.
Në nenin 96, paragrafi 1, ligji tregon se kush mund të regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës.
“Shtetasi me të drejtë vote, i cili jeton jashtë Kosovës, mund të votojë për zgjedhje nëse ai ose ajo aplikon dhe regjistrohet suksesshëm për votim jashtë Kosovës” thuhet në paragrafin e parë të nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.