Ndizen 1113 qirinj për fëmijët e vrarë gjatë luftës
Ne vazhdën e aktiviteteve shtetërore për nder të 17 shkurtit, sot janë përkujtuar edhe 1133 fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pran teatrit kombëtar janë ndezur 1133 qirinj në shenjë përkujtimi ku në këtë ngjarje përkujtimore të pranishëm ishin edhe krerët e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se secili nga këta 1113 qirinj është për të kujtuar nga një fëmijë të vrarë gjatë luftës.
Madje Kurti, ka njoftuar se do të ndërtohet një memorial për fëmijët e vrarë gjatë luftës.
“I kemi 1133 qirinj sepse secili prej këtyre qirinjve kujton një fëmijë që është vrarë gjatë luftës Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët janë të thella, dhimbja është e pafund. Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës do të jetësohet. Ai po punohet nga grupi punues që udhëhiqet nga Saranda Bogujevci, e cila i ka mbijetuar masakrës së luftës”- tha Kurti, raporton EO.
E pranishme ishte edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila tha se kujtimi për ta do të rrojë përherë në zemrat e gjithsecilit prej Kosovës, pasi që fëmijët janë inspirim për të ecur përpara.
“Na jepni kaq shumë motiv e inspirim për të ecur përpara sepse për ne nuk ka gëzim më të madh sesa kur ju shohim duke buzëqeshur. Kujtimi për ta do të rrojë përherë në zemrat e gjithsecilit prej Kosovës. Ata familjarë e prind të atyre fëmijëve ju shohin juve sot dhe kuptojnë që gjaku i tyre nuk ka shkuar huq.”- ka deklaruar Osmani.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i është drejtuar fëmijëve të pranishëm se kur po ju shoh duke u rritur të lirë po e kuptoj se s’ka kush që na ndal si popull.
“Mu definicioni i fëmijëve më duket se mund të thuhet me dy fjalë, pafajësi dhe ardhmëri. Edhe pse si vend kemi kaluar shumë vështirësi, kur po ju shoh duke u rritur të lirë po e kuptoj se s’ka kush që na ndal si popull.”- tha Konjufca.