Ndërhyrja e paprecedent e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë: Cilat mund të jenë pasojat? - NACIONALE

Ndërhyrja e paprecedent e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë: Cilat mund të jenë pasojat?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ndërhyrja e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Maqedonisë së Veriut po konsiderohet e paprecedent.

Njohësit rrethanave politike në Kosovë e Shqipëri dhe opozita e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës për një gjë të tillë.
Ata kanë vlerësuar se kjo është përzierje në punët brendshme e një shteti fqinje, e cila mund të sjell pasoja për Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Sipas tyre, me këto veprime të Kurtit po i përçan shqiptarët e Maqedonisë dhe po e dëmtojnë Kosovën në sytë e Perëndimit.

Gazeta shqiptar Mero Baze ka bërë me dije se Kurti do të mbahet mend që në një shtet fqinje ka përkrahur në zgjedhje kandidatët jo-perëndimorë.

Nuk ka rendësi nëse kandidati i Albin Kurtit, Taravari, del i 4 apo i gjashti. Ajo që do mbahet shënim, është që Albin Kurti bëri betejë që në Maqedoni të Veriut për të mos fituar koalicioni pro-perëndimor. Ato mund të mos fitojnë dhe pa sulmin e Abin Kurtit, ndaj është e rrezikshme që ky të bëhet pis në emër të Kosovës, kundër Perëndimit”, ka shkruar Baze në një opinion.

Sipas tij, kjo qasje do t`i bëj dëme edhe Kosovës.

Se boll e ka damkën e tillë për atë që bën në Kosovë, për atë që tentoi të bëjë në Shqipëri. Kjo në Maqedoninë e Veriut është tepër, pasi kjo ndikon drejtëpërdrejtë në liritë e shqiptarëve në atë shtet. Nuk është punë votash, është fakti që Albin Kurti u dikton atyre të jetojnë në një shtet anti-perëndimor. E kanë pas një të tillë deri më 2001, sa rrëmbyen armët. Nuk ka pse lufton Albin Kurti t’ua rikthejë përsëri”, ka vlerësuar ai.

Edhe analisti Dukagjin Gorani ka vlerësuar se veprimet e kryeministrit janë përzierje në punët e shteteve fqinje.

Sot në emër të sovranitetit çohen dhe përzihen në punët e brendshme të shteteve fqinje duke u thirrë në idenë kundër të cilës kanë bo kryengritje politike. Poshtërësi më të madhe, e pafytyrëzi më të madhe se qikjo nuk ka ndodhë në 10 vitet e fundit”, ka thënë ai në emisionin “Pressng”.

Ai ka treguar edhe pse po bëhet një gjë e tillë.

Mendoj që është thyerje e normave të një mirëkuptimi dhe të një mirësjellje demokratike në rajon. Mendoj që është shpërdorim i idesë së origjinës etnike”, ka thënë Gorani.

Ndërsa, Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka bërë me dije se përzierja e Kurtit në këto zgjedhje po e përçan thellësisht shqiptarët e Maqedonisë.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, ai ka folur për tensione të rritura në taborin shqiptar.

Tensioni shumë u rrit edhe për shkak të ngjarjeve të vitit të fundit, ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe tentativës së Rusisë për të treguar forcën në Ballkan. Tensionimit të situatës në zgjedhjet në RMV i ndihmoi edhe ndërhyrja e Albin Kurtit. Ai ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë. Teksa ishte e tensionuar situata te maqedonasit etnik, tani u tensionua edhe te shqiptarët. Nuk shoh ndonjë arsye politike për ndërhyrjen e tij, arsyeja është personale”, është shprehur Thaçi, duke përmendur pasojat tjera.

Ndërhyrja e tij fut një ndasi brenda shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Kurti nuk i bashkon palët shqiptare, por ai hyn për t’i ndarë. Opozita që ai e mbështet, gjasat i ka minimale për të konkurruar me frontin europian. Shpresa e tyre është që opozita maqedonase e cila ka program nacionalist që nuk parasheh ndryshimet kushtetuese apo edhe bllokimin e procesit integrues, do i marrë ata si leckë bashkëqeverisëse”, ka thënë kryetari i PDSh-së.

Opozita: Kurti po manipulon shqiptarët

Subjektet politike opozitare kanë kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për ndërhyrjet në zgjedhjet në Maqedoni. Përfaqësuesit e këtyre partive kanë vlerësuar shefi i ekzekutivit kosovar po krijon precedent të rrezikshme për rajonin.

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se kjo do të dëmtojë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut .

E çka bënë Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës sot? Ndërhynë brutalisht në zgjedhjet atje, duke përçarë shqiptarët. Duke shpifur e manipuluar. Seç e ka një mosdurim Kryeministri Kurti për secilin lider politik të UÇK-së. E turpshme. E mjerë. E rrezikshme”, ka shkruar Çitaku në profilin saj në “Facebook”.

Kurse, sekretari i Nismës, Zafir Berisha, ka vlerësuar se ndërhyrja e Kurtit në këto zgjedhje e arsyeton ndërhyrjen e Aleksander Vuçiqit në zgjedhjet e Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Berisha ka shkruar se me këto veprime Kurti po krijon precedent jo të mirë në rajon.

Ndërhyrja e Albinit dhe VV në zgjedhje e Maqedonis Veriore, vetëm sa e arsyeton ndërhyrjen e Vuçiqit dhe partive nga Serbia në zgjedhjet e Kosovës! Është e kuptueshme se kanditatët e tij do ta ken fatin e kanditatëve e atyre në zgjedhjet e Shqipërisë, sepse përqindja e analfabetëve funksional është shumë e vogël në MeV krahasim me Kosovën. Me këto veprime po krijon precedent jo të mirë në rajon”, ka shkruar Berisha.

Para dhe pas fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, eksponentë të ndryshëm të VV-së kanë filluar sulmet ndaj njerëzve të koalicionit “Fronti Evropian”, i cili udhëhiqet nga Ali Ahmeti.

Në këtë javë në sulm është përfshirë në mënyrë direkte edhe Zyra e Kryeministrit.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka sulmuar ashpër Bujar Osmani, kandidatin për president të “Fronti Evropian”.

Lajme të ngjashme