Ndalimi i dinarit: Qeveria thotë s’i përzihet BQK-së, “harron” se zyrtarët e VV-së udhëheqin këtë institucion
Qeveria e Kosovës për një periudhë të gjatë është kritikuar pasi vendosi në pozita kryesore në Bankën Qendrore të Kosovës njerëz të afërt me të, ose më konkretisht, me Lëvizjen Vetëvendosje. Tash kur është puna te ndalimi i dinarit, pas miratimit të rregullores së re nga ky institucion, zyrtarë të lartë të pushtetit po thonë se nuk duan të përzihen.
Partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e QUINT-it përmes disa deklaratave të dhëna ditëve të fundit i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës ta pezullojë dhe ta shtyjë përkohësisht vendimin për dinarin.
Këta të fundit nuk e kanë pranuar një gjë të tillë dhe rregullorja e re ka hyrë në fuqi nga një shkurti i këtij viti, me premtimin se do të sigurohet një periudhë tranzicioni dhe nuk do të ketë qasje ndëshkuese.
Ndërkohë, arsyetimet e tyre mbi këtë vendim që është marrë nga BQK-ja janë goxha interesante; pushtetarët po thonë se nuk i përzihen këtij institucioni të pavarur.
Këtë e ka thënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku sipas tij “Qeveria nuk mund e as nuk duhet të ndikojë” te BQK-ja, ani se aty ka njerëz të afërt me të.
“Lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore, kryeministri tha se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj. Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre.” – ka thënë ai.
Kështu, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një deklaratë të dhënë të premten, ka thënë se “nëse qeveria do t’i fuste duartë, do t’i humbte autonomia institucioneve të pavarura”.
“Dinari ka qenë gjithmonë ilegal, është shfrytëzuar edhe nga institucionet paralele. Edhe për financimin e këtyre strukturave, nuk kanë qenë vetëm mjekët edhe mësuesit, por edhe personat që kanë rrezikuar sigurinë. Ka mundur që të jepet afat disa muaj. Kjo është konsideruar nga ana e BQK dhe Qeverisë së nuk do të krijoj problem. Çështja e dytë është pavarësia e BQK-së. Nëse Qeveria do t’i fuste duart do t’i humbet autonomia institucioneve të pavarura, Qeveria nuk e ka atë kompetencë.” – është shprehur ai.
Një deklaratë të ngjajshme, e ka dhënë edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se nuk përzihen në vendimet e BQK-së.
“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, dhe nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse kështu e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur.” – është shprehur ai.
A u përzi VV-ja në BQK?
Për një kohë shumë të gjatë, pas emërimit të disa zyrtarëve në këtë institucion, VV-ja dhe Qeveria janë kritikuar pasi një pjesë e madhe e tyre janë të afërt me partinë në pushtet.
Nacionale kishte raportuar në vazhdimësi për kapjen publike që pushteti ia bëri Bankës Qendrore të Kosovës.
Fillimisht në Bord u dërguan dy anëtarë të Vetëvendosjes si Bashkim Nurboja e Nexhat Kryeziu, e gjithashtu edhe Nora Latifi-Jashari që ishte dikur drejtoreshë në Institutin GAP.
Së fundi, Milot Cakaj është emëruar zëvendësguvernator duke “u kompletuar” kështu kapja e këtij institucioni.
Kapja, haptasi është konfirmuar sepse Cakaj në mandatin e parë të Qeverisë Kurti kishte qenë këshilltar i kryeministrit. Për këtë, ishte njoftuar edhe zyrtarisht.
“Milot Cakaj u lind më 01.09.1974. Në pozitën e këshilltarit politik të Kryeministrit, vjen nga banka Raiffeisen në Kosovë, ku ishte specialist i modelimit të portfoliove kreditore, me rreth 7 vjet përvojë pune. Paraprakisht ka qenë mbi 7 vjet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai ka të përfunduar kolegjin UBT, si inxhinier i shkencave kompjuterike, ku disa vite ka qenë i angazhuar si asistent. Në kohën e studimeve ka qenë anëtar i Këshillit Organizativ të protestës studentore të 1 tetorit 1997 dhe më pas edhe pjesë e kabinetit të Përfaqësuesit Politik, z. Adem Demaçi pranë Zyrës Politike të UÇK-së.” - thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit në vitin 2020.
Rreth kësaj çështje, ka reaguar të premtën edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se bordi i BQK-së ka pesë anëtarë, duke përfshirë Guvernatorin. Miftaraj ka theksuar se nga pesë anëtar të bordit, katër prej tyre janë “shërbyes të devotshëm të LVV-së”.
“Vendimi per perdorimin e EURO-s eshte legjitim dhe i ligjshem. Kete vendim mbrone ne aspektin politik dhe diplomatik, por mos provoni me mashtru veten dhe partneret nderkombetare se vendimi eshte marr nga nje institucion i pavarur, sepse vendimi dihet fare mire eshte marr nga politika, kurse BQK vetem po i zbaton urdherat politik.” – ka thënë ai.