Ndahen 21 milionë euro për humbjen me “Contour Globalin”, Kurti thotë se është "e keqja më e vogël" - Gërvalla pati një pyetje - NACIONALE

Ndahen 21 milionë euro për humbjen me “Contour Globalin”, Kurti thotë se është "e keqja më e vogël" - Gërvalla pati një pyetje

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka ndarë 21 milionë euro pas humbjes që Kosova pësoi në Gjykatën e Arbitrazhit për rastin e Contour Global-it. Humbja e këtij rasti ka ardhë pas padisë së kompanisë Contour Global ndaj Kosovë për shkak të ndërprerjes së kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Në mbledhje pati akuza për Qeverinë Haradinaj, por pati edhe një kërkesë për hetim për nënshkruesit e kontratës.

Ndarja e 21 milionë eurove u bë gjatë mbledhje së Qeverisë së Kosovë të mërkurën, ku kryeministri Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk kursyen kritikat për qeverinë e mëhershme (Qeveria Haradinaj) që kishte nënshkruar këtë kontratë.

Kryeministri Kurti ka thënë se pavarëisht pasojave “është shumë më mirë që projekti nuk është realizuar.”

Siç kemi thënë vite më parë ashtu edhe rezultoi. Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet, as s’ka qenë në përmbajtje i dobishëm për vendin tonë. Fatkeqësisht, ndërprerja e qeverisë tonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar se Kosova të mos kishte pasoja të mëdha. Me gjithë pasojat, është shumë më mire që projekti i tillë nuk është realizuar sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar.” – ka thënë Kurti.

Pas kësaj mori fjalën ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili kritiko Qeverinë Haradinaj që kishte nënshkruar kontratën me Contour Globalin.

Murati ka thënë se Kosovën po e ndjekin vendime të tilla edhe pas shtatë viteve.

Marrëveshje e vitit 2017 që ishte nënshkruar pavarësisht se ishte paralajmëruar që një kontratë e tillë nuk do duhej të nënshkruhej. Një nënshkrim i tillë i papërgjegjshëm i kushton tash Republikës së Kosovës mbi 21 milionë euro. Edhe shtatë vite pas po na ndjekin vendimet e tilla.” – ka thënë ndër të tjera Murati.

Pas fjalës së Murati, Kurti mori edhe një herë fjalën ku u mburr me punën e Avokaturës Shtetërore, duke thënë se ka fituar më shumë raste se humbja në arbitrazh me Contour Globalin.

Ai ka thënë se pagesa prej 21 milionë eurove “është e keqja më e vogël”.

Gjatë këtyre viteve të qeverisjes tonë, Avokatura jonë shtetërore ka qenë shumë e suksesshme. Ajo çfarë kemi fituar është është përafërsisht shtatëfish i kësaj shumes që duhet të paguhet për shkak të humbjes në tribunal nga një kontratë kapitulluese e një qeveri të mëhershme me Countour Globalin, pra shtatëfish më shumë se kaq që humbëm është fitorja nga rastet në arbitrazh të Avokaturës Shtetërore. Por çfarë të bëjmë jemi në një situatë ku duke pasur parasysh atë kontratë, kjo megjithatë është e keqja më e vogël.” – ka thënë Kurti.

Por dikush në këtë mbledhje kërkoi edhe përgjegjeësi për ish-qeveritarët që kishin nënshkruar kontratën.

Ajo ishte zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, e cila pyeti ministrin Murati nëse ka ndonjë “indikacion ligjor” për lidhjen e kësaj kontrate.

A kemi indikacione se dikush duhet të mbajë përgjegjësi ligjjore për lidhjen e një kontrate të tillë e cila ka shkaktuar një dëm prej 21 milionë eurove apo nuk kemi indikacione të tilla që institucionet e drejtësisë kanë tendencë që merren me çështje të tilla.” – ka pyetur ajo.

Ministri Murati nuk pati informacione por shpreson që “do të duhej të kishte lëvizje” nga organet kompetentet.

Deri më tani nuk kemi njohuri, nuk kam ndonjë informatë të tillë, por shpresoj që tani me materalizimin e këtij dëmi do të duhej të vihej në lëvizje aparati ligjvënës apo ligj zbatues për të vënë përgjegjësitë para drejtësisë.” – ka thënë Murati.

Qeveria e Kosovës në qershor 2020 kishte njoftuar investitorin Contour Global për ndërprerje të marrëveshjes. Ndërsa me datë 19.11.2020, investitori Contour Global kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.

Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.

Lajme të ngjashme