"Ndërpreje peticionin, kryetarët të dorëhiqen": Haradinaj i drejtohet Kurtit për zgjedhjet në veri
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kreu i qeverisë kosovare, Albin Kurti, që të heq dorë nga forma e peticionit për largimin e kryetarëve në komunat veriore të vendit. Haradinaj kërkoi që largimi i tyre të bëhej me dorëheqje të tyre, e jo përmes peticionit, nismë kjo që tani ka parë edhe formimin e një Grupi Punues për hartimin e një udhëzuesi administrativ në lidhje me largimin e kryetarëve përmes një peticioni të nënshkruar nga banorët lokalë të atyre komunave.
Haradinaj thotë se duhet vepruar në këtë mënyrë, dhe se përmes kësaj mënyre u dëshmohet aleatëve se Kurti “është për zgjidhje, e jo për kriza të reja në veri të vendit”.
“Albin, ndërpreje procedurën e rrëzimit të kryetarëve në komunat veriore me peticion.Vazhdo me një strategji të re, me dorëheqjen e kryetarëve. Ashtu do të binden edhe aleatët se je për zgjidhje, e jo për kriza të reja në veri të vendit”, ka shkruar Haradinaj.