Nagipi i KEK-ut mbetet në paraburgim, Supremja refuzon si të pabazuar ankesën
Gjykata Supreme ka vendosur kundër ankesës së mbrojtjes së drejtorit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i akuzuar për korrupsion.
Supremja këtë ankesë e ka refuzuar si të pabazuar duke e lënë efektivisht në paraburgim z. Krasniqi, aktivist i Vetëvendosjes.
Krasniqi kishte bërë ankesë kundër masës së arrestit shtëpiak, që iu kishte caktuar më 20 prill.
“Sa i përket pretendimeve të mbrojtësve lidhur me shkeljen e neneve të KEDNJ dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, po ashtu janë të pabazuara ngase procedura penale është në fillimin e saj, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i pandehuri është privuar nga liria për rastet e parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, dhe kundër të pandehurit është duke u zhvilluar një procedurë penale dhe ajo deri në përfundim të kësaj procedure prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia eventuale e tij.” - shkruhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Për këtë arsye, Gjykata gjen se në rastin në fjalë nuk ka pasur shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale.
“Andaj nga arsyet e mësipërme, kjo gjykatë vlerëson se në rastin konkret nuk ka shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, sepse si gjykata e shkallës së parë e po ashtu edhe ajo e shkallës së dytë kanë bërë vlerësimin dhe arsyetimin e duhur, dhe në bazë të vlerësimit të tillë, kanë nxjerrë aktvendimet duke dhënë edhe arsyet të mjaftueshme, të cilat si të drejta i pranon edhe kjo gjykatë, ndërsa masat tjera të parapara nga neni 171 të KPP-së, janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe sigurimin e rrjedhës normale të procedurës penale. Nga sa u parashtrua dhe në kuptim të nenit 437 të KPP-së, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi,” – shtohet më tej.
Kujtojmë se partia në pushtet, nisur nga kryeministri e teposhtë, e kishin mbrojtur me pasion z. Krasniqi, duke përmendur mes tjerash edhe rritjen të hyrave dhe prodhimit.
