Nagavci merr vendim për inicimin e procesit të rishikimit të teksteve shkollore
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ka nënshkruar vendimin për inicimin e procesit të rishikimit të teksteve shkolle dhe materialeve mësimore për klasat e para deri në të nëntën.
Në postimin e saj në Facebook, Nagavci ka bërë të ditur se ky vendim është në përputhje me premtimin për përmirësimin e arsimit duke u bazuar në cilësi, përgjegjshmëri dhe praktikat më të mira.
Tutje ministrja e Arsimit ka thënë se kjo i jap hov të madh përmirësimit të cilësisë në arsim.
Postimi i plotë:
Sot nënshkrova vendimin për inicimin e procesit të rishikimit të teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për klasat I-IX, në përputhje me premtimin për përmirësimin e arsimit duke u bazuar në cilësi, përgjegjshmëri dhe praktikat më të mira.
Kështu i japim hov të madh përmirësimit të cilësisë në arsim, duke angazhuar ekspertët e duhur nga profilet përkatëse:
Profesor universiteti
Mësimdhënës
Pedagog/psikolog
Specialist gjinor
Rëndësi kyçe në këtë proces do të ketë instrumenti vlerësues i zhvilluar nga projekti KosEd, nga financuesi më i madh i projekteve të arsimit në Kosovë, Bashkimi Evropian.
Shprehim mirënjohjen e pakufishme për mbështetjen konsistente të BE-së në fushën e arsimit!
E nisëm këtë proces me rëndësi jetike për përmirësimin e cilësisë së arsimit, të bindur se fëmijët tanë meritojnë më të mirën. Ata/ato janë e ardhmja e vendit, dhe e ardhmja ka nisur mbarë.
