Na mban në ethe: Gani Jakupi paralajmëroi intervistë, por s’dihet se çka ndodhi me fatin e saj
Më 9 maj, Gani Jakupi, konsulenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës me pagë mujore prej 7.500 eurosh, e bëri një postim në rrjetin social “X”. Postimi i tij ishte goxha enigmatik, por edhe simptomatik.
Pse ishte enigmatik? Në postimin e tij, shihen dy karrige, që dorën në zemër aspak luksoze. Përballë karrigeve është një kamerë, e cila është gati për të incizuar, ndërsa në mes është një tavolinë e vockël.
Vendi i fotografisë, gjithnjë sipas Jakupit, është Spanja, më saktë kryeqyteti spanjoll Madridi. Nga prapavija e fotografisë lehtësisht mund të imagjinohet se Jakupi po përgatitet të realizojë një intervistë. Pra kjo është mundësia e parë: Jakupi po intervistohej nga një medium në Madrid të Spanjës.
Madrid, Spain.
— Gani Jakupi (@GaniJakupi) May 9, 2024
Coming soon. pic.twitter.com/gIBDcuGQ63
Sidoqoftë, ekziston edhe një mundësi e dytë, por që prapë lidhet me emrin intervistë. Veçse kësaj radhe, ndryshon subjekti i intervistuar. Në skenarin numër dy, Jakupi nuk është i intervistuari, por intervistuesi. Pra ekzistojnë gjasat që Jakupi, në kuadër të “konsulencës” për MPJD, ka intervistuar ndonjë individë në Madrid të Spanjës.
Sigurisht, krejt këto janë supozime, pasi Jakupi nuk ka dhënë më shumë kontekst, përveç se mbishkrimi “Së shpejti”. Megjithatë, duket se në botëkuptimin e Jakupit, togfjalëshi “së shpejti” ka një kuptim më elastik. Ndonëse kanë kaluar 10 ditë që nga publikimi i këtij paralajmërimi, ajo çfarë duhej të ndodhte “së shpejti”, duket se nuk ka ndodhur ende. Postimi paralajmërues i Gani Jakupit është parë vetëm nga 252 persona.
Pse është simptomatike? Kontrata e majme e Jakupit me MPJD-në është kritikuar ashpër në Kosovë. Madje, janë hedhur shumë dyshime në lidhje me cilësinë e konsulencës dhe diplomacisë që mund të ofrojë Jakupi për shtetin e Kosovës.
Duket se Jakupi, në një përpjekje dëshpëruese për të vërtetuar “plleshmërinë” e tij diplomatikë, ka paralajmëruar këtë ngjarje, thuajse është diçka e jashtëzakonshme.
Përtej krejt kësaj, nuk dihet nëse kjo intervistë (cilido prej skenareve qoftë i vërtetë) është realizuar dhe shfaqur, pasi Jakupi nuk ka shpërndarë asgjë në profilin e tij në “X”, aty ku e paralajmëroi “së shpejti”. Jakupi po e mban në ethe publikun.
Nacionale do t’i përcjellë zhvillimet në lidhje me këtë temë dhe do të raportojë me shpejtësinë maksimale, në mënyrë që publiku që jeton në ethe, të çlirohet nga ethet “gani-jakupiane”.
Sjellim ndër mend që Jakupi ka pasur disa takimenë Spanjë, për të cilat ka raportuar vazhdimisht Nacionale. Të gjitha këto takime kanë qenë tepër modeste (për t’u shprehur me eufemizëm). Përndryshe, sipas kontratës së publikuar, Jakupi në cilësinë e konsulentit përfiton 90 mijë euro në vit.