Në tryezë apo në meny? Osmani thotë se e zgjedh “Bordin e Paqes” – Kurti zgjedh heshtjen - NACIONALE

Në tryezë apo në meny? Osmani thotë se e zgjedh “Bordin e Paqes” – Kurti zgjedh heshtjen

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Në momentet kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zë vend në tryezën e Washington D.C-së, për takimin inaugurues të "Bordit të Paqes" – nismë e drejtuar nga Presidenti Donald Trump – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vazhdon të shmangë shqiptimin e togfjalëshit 'Bordi i Paqes', dhe çdo pozicionim publik të qartë karshi kësaj nisme.

Në Davos, Osmani ka pranuar dhe ka nënshkruar tashmë Kartën e Bordit të Paqes në emër të Republikës së Kosovës, duke e pozicionuar vendin si anëtare themeluese. Në dritën e këtyre zhvillimeve, Presidenca njoftoi sot se Osmani, me ftesë të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, udhëtoi në Washington D.C. për të marrë pjesë në Takimin Inaugurues të Bordit të Paqes, krahas disa liderëve botërorë.

Në leximin e Presidentes Osmani, ftesa në Davos dhe nënshkrimi i Kartës së Bordit nuk ishin opsionale, por ekzistenciale dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën në shumë drejtime.

Që nga pranimi i ftesës e deri te nënshkrimi i Kartës në Davos, ajo e ka përshkruar këtë hap si “zhvillimi më i rëndësishëm i viteve të fundit” në politikën e jashtme, si “forcim i subjektivitetit” ndërkombëtar të Kosovës dhe si “moment historik” për afirmimin e vendit në tryezat ku merren vendime globale.

“Ne duhet të kemi zë në tryezat ku merren vendime për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, sepse, siç e thonë të gjithë, kur nuk je pjesë e tryezës je pjesë e menysë, kështu që është shumë më mirë që ne ta kemi zërin tonë, prezencën tonë, qëndrimin tonë – jo vetëm për të mbrojtur interesat tona dhe për ta mbrojtur paqen e sigurinë në rajon, por edhe për të kontribuar. Rreshtimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk i del keq Kosovës", tha Osmani gjatë një interviste në Kanal 10.

Në anën tjetër, Kryeministri Kurti ka qëndruar shumë më i rezervuar në këtë temë.

Në një deklarim të 30 janarit, ai e ka lidhur angazhimin e Kosovës me Bordin kryesisht me kontributin për paqe në Gazë dhe me mundësinë që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë pjesë e një force shumëkombëshe stabilizuese, duke përmendur kapacitetet e kërkim-shpëtimit dhe të deminimit, si dhe detyrimin moral që një vend që ka përfituar nga misionet ndërkombëtare të paqes të kontribuojë vetë në to.

Në paraqitjet pasuese, përfshirë edhe rastin kur iu bë pyetje direkte, Kurti është mjaftuar me formulime ambiguitive, duke thënë se “si kryeministër, më tutje do të kontribuoj kudo që ka nevojë për paqe.”

"Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, e di që aty është përfaqësuar Kosova nga gjenerali Bashkim Jashari. Pra ne kemi shprehur gatishmërinë tonë të marrim pjesë në këtë Forcë ku FSK është e mirënjohur për kërkim shpëtim e deminim. Meqë do marrim pjesë aty, ne kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendim-marrëse politike më tutje", ishte përgjigja e Kurtit rreth dy javë më parë kur u pyet rreth Bordit të Paqes.

Bordi i Paqes, i lansuar në fund të janarit 2026 nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donal Trump, është menduar si një mekanizëm i ri ndërkombëtar që në fazën e parë lidhet me zbatimin e planit të Trumpit për periudhën pas luftës në Gazë.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se anëtarët e Bordit pritet të shpallin mbi 5 miliardë dollarë zotime për rindërtim dhe ndihmë humanitare, si dhe angazhimin e mijëra pjesëtarëve të forcës stabilizuese, ndërkohë që më shumë se dy duzina shtetesh janë regjistruar si anëtare themeluese.

Një pjesë e aleatëve tradicionalë evropianë të ShBA-së kanë zgjedhur të qëndrojnë jashtë kësaj nisme, duke e parë atë si sfidë ndaj rendit të pas Luftës së Dytë Botërore, të ndërtuar mbi rolin qendror të OKB-së.

Lajme të ngjashme