Në epokën e divorcit energjetik të Evropës nga Moska, qeveria Kurti i kthen shpinën rrjetit amerikan të gazit
Gjersa Bashkimi Evropian ka katërfishuar tkurrjen e gazit rus dhe Shtetet e Bashkuara janë shndërruar në furnizuesin kryesor të gazit natyror të lëngshëm, burim energjie që është kthyer në një prej shtyllave kryesore të sigurisë së re energjetike të kontinentit, thirrjet e Uashingtonit për lidhjen me rrjetin rajonal të gazit kanë rënë në vesh të shurdhër: te një qeveri që duket tashmë ta ketë ndarë mendjen për ta lënë Kosovën jashtë korridoreve të sigurisë energjetike të rajonit.
Importet fosile ruse në BE bien nga dominuese në minimale
Përkufizimet e mallrave ndryshojnë sipas burimit: gazi natyror, nafta bruto dhe importet e qymyrit të gurit/qymyrit.
Para agresionit rus kundër Ukrainës, Rusia ishte furnizuesi kryesor i jashtëm i Bashkimit Evropian për gaz dhe qymyr, si dhe një nga furnizuesit më të mëdhenj të naftës bruto. Deri në vitin 2025, kjo varësi ishte transformuar rrënjësisht: importet e gazit rus në BE ranë nga rreth 152 miliardë metra kub në vitin 2021 në 36 miliardë; importet e naftës bruto ruse nga 114.4 milionë tonë në vetëm 9.7 milionë; ndërsa qymyri rus u eliminua nga importet e drejtpërdrejta të BE-së pas ndalimit të vendosur nga blloku.
Në vitin 2025, Shtetet e Bashkuara furnizuan 75.6 miliardë metra kub gaz për Bashkimin Evropian, duke u bërë burimi më i madh alternativ i lidhur me GNL-në dhe furnizuesi i dytë më i madh i gazit total pas Norvegjisë. Në tregun e GNL-së, pozicioni amerikan ishte edhe më dominues: ShBA mbuloi rreth 56-58 për qind të importeve të GNL-së së BE-së, ndërsa importet e GNL-së në bllok arritën rekord historik prej 146 miliardë metra kub.
Në këtë arkitekturë të re energjetike po integrohet me vrull edhe Ballkani.
ShBA po investon kapital politik dhe financiar në nyjet energjetike që po ridizenjojnë hartën e gazit në Evropën Juglindore: Korridorin Vertikal të Gazit, terminalin lundrues të LNG-së në Krk dhe korridorin që lidh gazin e ardhur përmes Alexandroupolis me tregjet e Ballkanit, si arterie ku ShBA sheh interes strategjik për GNL-në amerikane dhe më pak hapësirë për varësinë nga gazi rus.
Joshua Volz, i dërguari special i Departamentit Amerikan të Energjisë për integrim energjetik, tha në një intervistë të dhënë së fundi për Radion Evropa e Lirë se synimi i Uashingtonit është të hapë “rrugë të reja tregtare” për burimet energjetike amerikane dhe të ndihmojë rajonin të “zëvendësojë molekulat ruse”.
Në dritën e kësaj, më 5 qershor, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, publikoi një op-ed me gjuhë befasueshëm direkte për standardet diplomatike.
Në hyrje të shkrimit, Prattipati na kujtoi se Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro për import të energjisë elektrike në katër vitet e fundit, me një faturë që u rrit nga 142 milionë euro më 2024 në 259 milionë euro më 2025.
Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë: Kosova duhet të rreshtohet brenda projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan, duke sinjalizuar se "Dritarja për t'iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet."
Vonesa, sipas Prattipati, mbart pasoja shumë reale: kapacitetet amerikane të GNL-së mund të ridrejtohen drejt vendeve të tjera, duke lënë Kosovën si shtetin e vetëm të Ballkanit Perëndimor pa qasje në gazin amerikan.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Qeverisë Kurti po thellëson revoltën e opinionit publik, duke nxitur thirrje të vazhdueshme për t'u lidhur me rrjetin e gazit të lëngshëm amerikan. Pavarësisht kësaj, ekzekutivi duket i ngulur për të qëndruar jashtë këtij projekti.
Në intervistën e dhënë së fundi në Televizionin Publik, Kurti devijoi debatin nga ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë drejt një zgjidhjeje jashtë territorit të vendit.
Përtej kësaj qasjeje, ai madje tha se Kosova duhet të orientohet drejt shndërrimit të qymyrit të saj në gaz, në vend që ta blejë atë si lëndë të gatshme nga jashtë.
"Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kilowolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne", tha Kurti ndër tjera në këtë intervistë.
Ndërsa, vetëm pak ditë më pas, presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, tha se "nuk e kam parë fare" thirrjen amerikane për gazin. "Nuk e kam parë fare, më vjen keq, nuk e kam parë", deklaroi shkurt ajo.
Por, ajo që kristalizoi kahun e qeverisë në këtë çështje, ishte një letër e nisur nga Ministria e Ekonomisë drejt Ambasadës Amerikane.
Letra e siguruar nga KOHA, e dërguar në prill, e njoftonte të ngarkuarën me punë të ShBA-së, Anu Prattipati, se plani i Qeverisë mbështetej "në burimet e brendshme", duke shmangur integrimin e rrjetit energjetik me aleatët.
"Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) historikisht ka operuar një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi gjatë viteve '70 dhe fillimit të viteve '80, e ngjashme me Fabrikën e Karburanteve Sintetike Great Plains në Dakotën e Veriut.
Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së, duke e rreshtuar potencialisht këtë iniciativë brenda fushëveprimit të bashkëpunimeve të mëparshme të suksesshme midis Ministrisë sonë dhe Aktivitetit të Kosovës për Qëndrueshmërinë e Energjisë", citohet të jetë shkruar aty ndër tjera.