“Myslimanët” e VV-së përsëri kundër Kurtit, e kritikojnë Qeverinë pse bleu art që i dedikohet LGBTQ+
Tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, me bindje konservatore, dje haptas dolën sërish kundër Qeverisë Kurti. Dhe përsëri për temën e seksit. Kësaj radhe ata kritikuan Qeverinë pse bleu një fotografi që i dedikohet komunitetit LGBTQ+. Natyrisht, edhe kësaj radhe gjuha e tyre ishte e ashpër dhe me elemente homofobike.
I pari që e nisi krejt këtë reagim ishte Gramoz Agusholli, deputet konservator i LVV-së nga Peja, i cili e postoi një fotografi të grupit artistik “Havei” të titulluar “Shën Valentini”, ku shihen 4 vajza teksa puthen në një shesh në Prishtinë.
Por kjo fotografi, sipas vetë Agushollit, i kishte shkaktuar “dhunë psikologjike”. E përkrahje Agushollit i dhanë dy deputetë të tjerë të VV-së: Eman Rrahman dhe Visar Korenica, të dy deputetë që votuan kundër projekt-kodit civil. Pra të tre deputetët konservator, përveç kësaj radhe, bashkë kanë qenë edhe kundër projekt-kodit civil, pasi që të gjithë votuan kundër.
Çka shkroi Agusholli?
Deptuteti nga Peja duket të jetë befasuar nga fotografia e grupit “Havei”, të cilën shteti i Kosovës e ka blerë në një thirrje të mëhershme. E befasinë e tij e shfaqi edhe në publik, me një gjuhë të papranueshme.
Agusholli shkroi se fotografia për të cilën “janë ndarë 10 mijë euro nga buxheti i Kosovës”, e ka dhunuar psikologjikisht.
“Për këtë foto janë ndarë 10 mijë euro prej buxhetit të Kosovës. Me taksat tona financohet ky projekt “arti”.
Absurde është tendenca që dhunshëm me “normalizu”seksualitetin e dikujt. Dhunë psikologjike mbi ne dhe fëmijët tonë.” – shkroi ndër të tjera Agusholli në profilin e tij në Facebook.
Përveç denigrimit se fotografia “nuk është art”, ai ka përmendur edh fondet “dhjetëra milionëshe” dhe aparatin propagandistik.
“Askujt mbi këtë tokë nuk po i intereson çka bëni ju nëpër shtëpitë tuaja. Pse po besoni që keni kaq shumë relevancë?!
Shumë zor po i japin disa, e prapë as nuk po i dojnë as nuk po i pranojnë.
Krejt aparatin propagandistik, fondet dhjetëra milionëshe, edhe rezultati ne fund zero.
Për disa përshkrimi i punës: Ndjekim fonde!
Sqarim për fund: Te unë nuk pinë ujë: cancel kultura, presioni, shantazhi e aq më pak ofendimet.” – shkroi tutje ai.
Kush i dha përkrahje?
Përkrahja e parë erdhi nga dy kolegë të tij. Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, po ashtu me qëndrime të përafërta kundrejt komunitetit LGBTQI+, i bënë jehonë mesazhit të Agushollit, duke e shpërndarë atë.
“Komisioni i paska hyp skijave” – ishte komenti i Visar Korenicës, deputet nga komuna e Rahovecit.
Ndërsa Rrahmani nuk bëri asnjë koment në shpërndarjen që i bëri mesazhit të Agushollit.
Ndryshe, grupi konservator brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka kohë që ka pasur përplasje. Së fundmi, siç ka raportuar ekskluzivisht Nacionale, Korenica është larguar nga posti i koordinatorit të Qendrës në Rahovec. Deputeti Korenica e kishte pohuar se ai është shkarkuar nga pozita e koordinatorit për shkak të qëndrimit të tij kundër bashkëjetesës së seksit të njëjtë.
“Po, është e vërtetë. Jam shkarkuar për shkak të qëndrimit tim për projekt-kodin civil.”, ishte përgjigja e shkurtër e Korenicës për Nacionalen.
E prapa tij në mbrojtje u rreshtuan Rrahmani dhe Agusholli. Rrahmani e kishte cilësuar si jo demokratik shkarkimin e Korenicës për shkak të qëndrimit të tij kundërshtues ndaj projekt-kodit civil.
“Shkarkim jo demokratik, ku nga kjo më së shumti do të humbë Lëvizja VETËVENDOSJE! Visari është deputet e aktivist shembull!” - deklaroi z.Rrahmani për Nacionalen.
Ndërsa Agusholli e kishte cilësuar Korenicën si njëri parimor.
“Kjo flet se Visari është parimor dhe se nuk pranon të shkelë mbi vlerat në të cilat beson. Ai është punëtor e aktivist i madh i Lëvizjes, e që gëzon përkrahje edhe në mesin e votuesve. Penalizimi i tij në këtë formë më tepër e dëmton Lëvizjen se sa vet atë. Ai është faqebardhë, sepse është treguar konsistentë dhe parimor.” - vlerëson Agusholli.

