Mustafa për situatën në veri: Osmani dhe Kurti deshën t’i tregojnë muskujt, tash kërkoj ndihmë nga KFOR-i
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka fajësuar Kryeministrin, Albin Kurti dhe Presidenten, Vjosa Osmani për situatën në Veri të Kosovës, pasi që sipas tij duke u munduar t’i tregojnë muskujt e kanë përmbysur edhe atë pak sovranitet që ishte arritur në veri të Republikës së Kosovës.
Mustafa është shprehur se dështimi ka qenë i pritur në momentin kur është tentuar të veprohet në veri të vendit pa koordinim dhe përkrahje paraprake, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në këtë kohë është vështirë të bësh analiza. Qerrja është thyer, e tani mund të flitet për shumë rrugë. Sa herë që është tentuar të veprohet në veri të vendit pa bashkërenditje dhe përkrahje paraprake me SHBA (sidomos) ka qenë e gjykuar të dështojë. Albini dhe Vjosa deshën ti tregojnë muskujt, të thirren në sovranitet dhe ligje, të shkelin mbi çdo gjë që është punuar në të kaluarën dhe e përmbysën për dy ditë edhe një sovranitet të brishtë që ishte arritur atje”, ka thënë Isa Mustafa për Gazetën Express.
Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se pas gjithë kësaj situate që ata totalisht e kanë menderosur po kërkojnë nga KFOR-i që t’ua hapë rrugët.
“Tani, pasi e menderosën totalisht, kërkojnë që KFOR-i t’ua hapë rrugët. KFOR nuk është në mision të luftës por në mision të paqes në Kosovë, sipas Rezolutës 1244. Është e kuptueshme që ky mision të mos merr veprime të cilat do të krijonin terren për konflikt”, ka thënë Mustafa.
Ish-kreu i LDK-së, ka thënë se nuk sheh zgjidhje tjetër përpos rivendosjes së dialogut, dhe i njëjti e ka quajtur budallallëqe përkrahjen e deputetëve me ultimatume ndaj misionit të NATO-s.
“Budallallëqet e deputetëve dhe përkrahësve të pozitës me ultimatume ndaj misionit të NATO-s dhe me lista se kush duhet të arrestohet nga serbet e forcojnë edhe më shumë logjikën e KFOR-it që të ruajë këtë gjendje të një paqeje të brishtë. Nuk shoh zgjidhje tjetër përpos rivendosjes së dialogut. Sigurisht se ka pasur dhe ka banda dhe banditë në veri, por cilësimi si banda nuk po japë rezultate. Në fakt po shpërfaqet dobësia e shtetit, sepse njëherë i quan banda dhe pastaj tragjikisht u lëshon pe dhe dorëzohet para tyre, siç ishte rasti i zgjedhjeve”, ka potencuar Mustafa.
Mustafa ka thënë se “pushteti dhe liderët e lazdruar dhe vetëdashuruar” duhet të vetëdijesohen se qytetarët serb në Kosovë si në veri edhe në jug janë qytetarë të këtij vendi.
“Pushteti dhe liderët e lazdruar dhe të vetdashuruar duhet të vetëdijesohen se qytetarët serb në Kosovë, në veri e në jug, janë qytetarë të këtij vendi. Me ta duhet të komunikohet, sikurse edhe me partnerët tanë strategjik. Nëse partnerët strategjik nuk kanë besim në pjekurinë e pushtetit, nuk mund të pritet se do të veprojnë ashtu siç vepronin në të kaluarën. Rrugë është dialogu dhe mirëkuptimi”, ka përfunduar Mustafa.
