Mustafa i PDK-së: Platforma për subvencionim të punësimit për të rinjtë shpërfaqë varfëri të ideve
Koordinatori i Departamentit për Financa në KQM në PDK, Arben Mustafa, ndërlidhur me prezantimin e platformës të subvencionimit të përkohshëm të “punësimit” për të rinjtë nga qeveria Kurti, ka thënë se kjo tregon edhe njëherë “varfërinë e ideve të kësaj qeverie për ta adresuar një problem kaq të madh të shoqërisë tonë”.
Sipas z.Mustafa, një pako e ngjashme ishte prezantuar edhe vitin e kaluar, për të cilën ekzekutivit nuk raportoi asnjëherë për rezultatet e saj.
Sipas tij, pasojë e papunësisë së madhe në Kosovë janë dy arsye: 1. Kërkesa e pamjaftueshme për punëtorë, e cila rezulton nga prodhimi i ulët vendor dhe 2. Mospërputhja ndërmjet aftësive të kërkuara dhe atyre të ofruara në tregun e punës, si pasojë e së cilës sot kemi në Kosovë shumë firma që nuk po mund ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre për shkak se nuk po mund të gjejnë mjaftueshëm punëtorë me cilësitë e kërkuara.
Në fund Mustafa akuzoi Qeverinë se po tregohet “koprrace” me pakot e saj ekonomike pasi ato nuk po shkojnë përtej shpërndarjes së 100 eurove.