Musliu i reagon Mustafës së LDK-së: Gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja dhe frika
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Besian Mustaf, i cili ka thënë se partia e tij ka gabuar kur e ka votuar Hashim Thaçin për president.
Ajo ka bërë me dije se gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja dhe frika.
Në profilin e saj në “Facebook”, Musliu ka shkruar se LDK-ja nuk pati guxim për të kritikuar Donika Gërvallën, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanin
“Besian Mustafa paska thënë se votimi i Hashim Thaçit për president qenka “gabim trashanik i LDK-së”. Jo. Gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi. Gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik. Ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritikë të hapur Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke ushqyer iluzione të rreme se këta do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet kolosale që vetë ia shkaktuan LDK-së.”, ka shkrua ajo, duke e vazhduar kritiken ndaj LDK-së.
“Kjo heshtje u bë edhe më e rëndë kur LDK mbylli sytë para skandaleve të shumta që shënuan mandatin e Faton Pecit në qeveri, Donika Gërvallës në diplomaci dhe Vjosa Osmanit në presidencë. Nga keqmenaxhimi dhe vendime të kontestuara, te arroganca politike, shkelja e standardeve institucionale dhe dëmtimi i funksionimit demokratik të shtetit. Gjithçka u tolerua në emër të kalkulimeve të ulëta politike. Me këtë sjellje, LDK nuk dështoi vetëm si opozitë, por u bë bashkëfajtore përmes heshtjes. LDK zgjodhi të përkulej, jo të përballej. Zgjodhi të shpresojë, jo të veprojë. Kështu, u shndërrua në një subjekt frikacak, të paqëndrim dhe të padenjë për barrën historike që pretendon ta mbajë. Problemi i LDK-së nuk është e kaluara; problemi i saj është mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën sot”, ka shkruar ajo.