Murati zgjohet dhe sulmon Abdixhikun e Hotin, ia kthen Rukiqi i LDK-së: Po vetkënaqet me papërgjegjësi
Ministri i Financave, Hekuran Murati të dielën në mëngjes, rikujtoi një shkrim që kishte bërë para një viti, duke sulmuar Lumir Abdixhikun e Avdullah Hotin e LDK-së.
Nuk ka vonuar, ndaj kësaj ka reaguar zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili ka thënë se ministri “po vetëknaqet me papërgjegjësi”.
“Një rikujtim për Ministrin: nuk je i zgjedhur për të komentuar statuse, e as për të vlerësuar, kush sa ka njohuri për ekonomi., e as për të kopjuar arrogancën e shefave që i ke në Qeveri.” – ka thënë ai.
Sipas Rukiqit, “gjenialiteti” i Muratit në ekonomi ka sjellur 23 për qind inflacion gjatë tri viteve të fundit, si dhe deficit tregtar prej pesë miliardë euro.
Çka tha Murati?
Në një postim të publikuar mëngjesin e së dieles, Murati akuzon Abdixhikun e Hotin se para një viti kishin filluar një “fushatë dezinformimi”.
“Sipas logjikës së Abdixhikut e Hotit, Trusti do duhej t’i kishte humbur nja 180 milionë euro deri më sot, për një vit.” – ka thënë Murati.
Tutje, ai i ka quajtur Abdixhikun e Hotin “ekonomistë të LDK-së”.
“Por ja që koha, bashkë me performancën e investimeve në Trust, e tregon edhe njëherë se njohuritë e ekonomistëve të LDK-së janë të mjaftueshme vetëm sa për të llogaritur se sa duhet kthyer kusuri, por jo për gjëra më të thella.” – ka thënë ai.