Murati s'merr përgjegjësi për bllokimin e qasjes në financa për komunën e Suharekës: Qeveria nuk bllokon llogari
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka njoftuar se Komunës së Suharekës i është bllokuar qasja në financa nga Qeveria e Kosovës si pasojë e kontratës kolektive. Në lidhje me këtë, ka reaguar ministri i Financave Hekuran Murati, i cili e quajti “dezinformatë”.
Ibrahimi ka bërë thirrje Qeverisë që t’i dëgjojë kërkesat e komunave për kontratën kolektive. “Qeveria ia bllokoi Komunës së Suharekës xhirollogarinë bankare si pasojë e kontratës kolektive dhe mosgatishmërisë se qeverisë për ta zgjidhur këtë problem. Kjo mund t’i ndodh edhe komunave tjera nëse qeveria nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje të këtij problemi. AKK edhe njëherë kërkon nga qeveria që t’i dëgjojë komunat dhe të reflektojë në kërkesat e tyre për kontratën kolektive”, ka njoftuar Ibrahimi.
Bllokimin e qasjeve qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Ai ka bërë të ditur se institucionet e nivelit qendror i kanë njoftuar për bllokimin e qasjeve qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për këtë komunë deri në procedimin e vendimeve gjyqësore/përmbarimore.
“Sot zyrtarisht jemi njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, që na kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për ne si Komunë e Suharekës, deri sa të procedohen vendimet gjyqësore/përmbarimore.”
Muharremaj ka thënë se kjo ka ndodhur “si pasojë e kontratës kolektive”, ndërsa shtoi se me të njëjtën situatë do të ndodh edhe në komunat tjera “nëse nuk merren masa të menjëhershme”.
“Ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive. Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdoj edhe në komunat tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive.” – tha ai.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me bllokimin e qasjeve për zyrtarët financiarë të komunës.
“Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng i një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna. Për këtë situatë, duhet të veproj urgjentisht edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ngase situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë.” – tha Muharremaj.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, ministri Murati i quajti “gënjeshtra” pretendimet për bllokim të llogarive nga Qeveria. Ai tha se llogaritë janë bllokuar “nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore.”
“Dezinformatat nuk kalojnë! Kushdo që pretendon se Qeveria bllokon llogari të komunave, gënjen. Qeveria nuk bllokon llogari, e aq më pak komunave. Llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore.” – tha Murati.