Murati iu drejtua ChatGPT-së për t’i konfirmuar se ishte 'bartës i së vërtetës', qe hilja që e tradhtoi - NACIONALE

Murati iu drejtua ChatGPT-së për t’i konfirmuar se ishte 'bartës i së vërtetës', qe hilja që e tradhtoi

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Pasiguria nëse po thoshte të vërtetën e shtyu drejt inteligjencës artificiale për – në mendjen e tij – një gjykim përfundimtar, të pakundërshtueshëm.

Alarmin që ngriti dje kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për bllokadë “të qëllimshme” të buxhetit nga ish-Qeveria Kurti, e "rrëzoi" Kosovanews-i i VV-së, si burim i konkluzionit në interaksionin Hekuran Murati–ChatGPT.

Një deputete e VV’së – Fitore Pacolli – e udhëzuar pak ditë më parë se si të fabrikohej një postim në rrjetet sociale; një deputet tjetër i VV’së – Dimal Basha – që përpiqej ta shndërronte produktin e OpenAI në zëdhënës të partisë; dhe tash... Hekuran Murati – deputet e ministër në detyrë, i cili vendosi t’ia delegojë barrën e të vërtetës politike... një chatbot-i.

“KJO NUK ËSHTË MË ÇËSHTJE POLITIKE! KJO ËSHTË JO-NJERËZORE. ËSHTË E MJERË. ËSHTË THELLËSISHT E RREZIKSHME!” – paralajmëroi Rama, duke ngritur alarm institucional, teksa e cilësoi bllokadën si të motivuar nga interesa elektoraliste për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. "Një bllokadë e tillë administrative, e motivuar nga interesa elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka tejkaluar çdo kufi të arsyes, etikës dhe përgjegjësisë njerëzore e institucionale."

Ndaj akuzave të Ram reagoi Murati, i cili e quajti këtë të fundit “rrenc” dhe hodhi fajin mbi komunën dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por, rezulton se të nesërmen Murati nuk ishte plotësisht i bindur rreth “të vërtetës së tij”. Ish-kreu i Financave vendosi t’i drejtohej një entiteti jo njerëzor për t’i konfirmuar – pa qare e ilaç – se ai, e jo tjetri, ishte“bartës i së vërtetës”.

“Ia dhashë chatGPT-së postimin e Përparim Ramës si dhe postimin tim, për këtë punën e buxhetit të Komunës së Prishtinës, dhe e pyeta se kush po e thotë të vërtetën. Shiheni se çfarë përgjigje ktheu:” – shkroi ai, duke bashkëngjitur screenshot-e nga biseda e tij me chatbot-in e OpenAI, CEO-ja i të cilit u shpreh i habitur nga niveli i besimit që njerëzit i japin inteligjencës artificiale, pavarësisht – siç theksoi ai – rasteve të shpeshta të “halucinimeve”, që komprometojnë faktet.

Në pamjet që shpërndau Murati, mungon dëshmia e “prompt”-it të tij – elementi kyç për të gjykuar qëllimin dhe drejtimin e përgjigjes. Dhe, siç e di çdo përdorues bazik i ChatGPT-së, modeli mund të japë përgjigje të personalizuara, të pjesshme, madje edhe të pavërteta – në varësi të mënyrës se si është pyetur.

Por le të supozojmë se Murati ka qenë i ndershëm në “prompt”-in e tij. Edhe në atë rast, në mesin e “burimeve” që citoi ChatGPT, figuron portali Kosovanews, portali i njohur propagandistik i Lëvizjes Vetëvendosje.

Si përmbyllje e këtij akti grotesk, ChatGPT i formulon një “të vërtetë” të përsosur me çka dëshiron ai, për ta shpërndarë më pas me ndjekësit e tij në Facebook.

Lajme të ngjashme