Murati 'i jep mend' Kushtetueses rreth ligjit për çmimet tavan, thotë se u rrëzua "me argumente të kota"
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese lidhur me rrëzimin e ligjit për çmimet tavan duke thënë se thënë se vendimi u mor “me argumente totalisht të kota”.
“Ligji për çmimet tavan synonte të vendoste tavan të marzhës së fitimit, jo me punu me humbje biznesi, por të caktonte marzhën e fitimit e të mos fitojnë më tepër se sa duhet në kohë krize. E çoi opozita në Kushtetuese... Ligjin për çmime tavan e rrëzoi Kushtetuesja me argumente totalisht të kota, ndërsa ligjin për pagën minimale ende nuk kemi vendim”, ka thënë Murati në "Konfront" të KTV-së.
Ndonëse Gjykata Kushtetuese kishte argumentuar qartë se një projektligj i tillë bie ndesh me ekonominë e lirë të tregut, Murati tha se “kushdo që ka argumentuar vendimin e Kushtetueses, s’ka të bëjë fare me mënyrën se si funksionon ekonomia”.
“Në argumentimin e vendimit për ligjin e çmimit tavan thuhet se Kushtetuta e vendit tonë është një ekonomi e tregut të lirë apo e lirë e tregut, siç thoshte kryetarja e Kushtetueses. Mund të themi se jemi bërë më të djathtë edhe se SHBA-ja”, pohoi Murati më tej.
Ligji për Çmimet Tavan
Ministri Murati në vazhdimësi ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të opozitës lidhur me kundërshtimin e Projektligjit të qeverisë.
Tri partitë kryesore opozitare kanë kundërshtuar në vazhdimësi ligjin, duke argumentuar se ai nuk respekton parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe nuk ka për qëllim të mbrojë konsumatorët.
Nga ana tjetër, qeveria mbronte nismën duke argumentuar se ishte hartuar për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.
Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi ligjin dhe konstatoi se ai nuk përputhej me Kushtetutën e Kosovës.
Nervozizmi i Muratit
Ditë më parë Murati sulmoi kryetaren e Gjykatës KushtetueseGresa Nimani-Caka gjatë një interviste për emisionin “Tempus” në KTV, duke shkruar në Facebook se kryetarja e Kushtetueses "ka një cektësi të njohurive për konceptin e ekonomisë së tregut të lirë”.
“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka, gjatë një interviste sonte, duke folur për natyrën e lëndëve që kanë shqyrtuar ata si gjykatës, e përmendi edhe togfjalëshin “ekonomia e lirë e tregut”, më shumë se njëherë. Dua të besoj që fjalën e ka pasur për konceptin e “ekonomisë së tregut të lirë” apo “free market economy” në anglisht. Kur e mendon që ka edhe ekonomistë në LDK që e bëjnë gabimin e njëjtë, nuk mund ta gjykosh edhe aq rëndë një shkarje të tillë të zonjës Caka e cila me profesion është juriste. Mirëpo për funksionin që ushtron, një cektësi e tillë e njohurive për këtë koncept ekonomik, pra “ekonominë e tregut të lirë”, rrezikon të prodhojë vendimmarrje të gabuar që ka pasoja të mëdha për qytetarët”, shkroi Murati.