Murati 'hap arkën e shtetit' pak orë para zgjedhjeve: “Rritet sociali 20%”; “Dilni votoni”
Në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit, deputeti Albin Kurti dhe deputetët e tij "ministra" po përdorin buxhetin e Kosovës për të shpërndarë mbështetje financiare e zotime ndaj grupeve të caktuara të qytetarëve, përfshirë studentët dhe përfituesit e ndihmës sociale.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, njoftoi sot se duke filluar nga tetori, ndihma sociale do të rritet me 20 për qind.
Kur na ndajnë edhe disa orë para zgjedhjeve lokale, Murati u zotua se qeveria e ardhshme “Kurti 3” do të sjellë masa të reja në favor të fëmijëve, pensionistëve, veteranëve të UÇK-së dhe do të ketë zhvillime pozitive për rritjen e pagës minimale.
“Për të gjitha familjet përfituese të socialit – pra lajmi i mirë është që, duke filluar nga ky muaj, sociali rritet me 20 për qind më tepër. Lajmi tjetër i mirë është që Qeveria Kurti 3 po vjen, e me Qeverinë Kurti 3 kemi përgatitur edhe lajme të tjera të mira... kështu që mos harroni, më 12 tetor dilni votoni e pastaj festojmë bashkë.” – u shpreh Murati.
Kujtojmë se këtë të martë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje — tash i betuar edhe si deputet — njoftoi "nga 100 euro" nga buxheti i shtetit "për të gjithë studentët", vetëm pak ditë para se qytetarët të shprehnin vullnetin e tyre në kutitë e votimit.
Sipas Ligjit për Qeverinë, të miratuar pikërisht nga qeveria Kurti 2, neni 31, pika 1 përcakton qartë se “Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin”.
Në këtë nen parashihen disa përjashtime të kufizuara dhe nuk përfshijnë vendime të natyrës së klientelizmit elektoral, siç është ndarja me e 100 eurove për studentë në prag zgjedhjesh.
Se në rastin e një vendimi të tillë kemi të bëjmë me një shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit, dëshmohet qartësisht nga vendimi i Gjykatës Supreme, e cila i vuri vulën e paligjshmërisë dhe antikushtetueshmërisë veprimeve të deputetit Albin Kurti dhe dhjetë deputetëve të tjerë — njëkohësisht ministra — që vijojnë të ushtrojnë dy funksione publike në kundërshtim me Kushtetutën.
Supremja kishte konstatuar se Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 i nënshkruar nga deputeti Murati ishte nxjerrë në kundërshtim me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe me legjislacionin për organizimin e Qeverisë. Kushtetuta, në nenin 71, ndalon shprehimisht ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive dhe ligjvënëse.
Ky vendim, sipas njohësve, përveçse "marketing politik", përbën një akt të pastër të korrupsionit dhe shkelje të rëndë të Ligjit për Qeverinë.