Murati bëri një interpretim qesharak të Aktgjykimit të Kushtetueses, “opozita” ia “çmonton” pretendimet: Është injorancë e llojit të vet - NACIONALE

Murati bëri një interpretim qesharak të Aktgjykimit të Kushtetueses, “opozita” ia “çmonton” pretendimet: Është injorancë e llojit të vet

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, nuk po ndalet se interpretuari aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme. Ndonëse me profesion është ekonomist, ai pretendon se ia thotë mirë edhe në fushën e drejtësisë.

Murati, i cili e mban edhe pozitën e ministrit në detyrë të Financave, sot përsëri ka bërë “juristin”, duke thënë se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25 vlerëson se deputetët ende nuk janë ngarkuar zyrtarisht me këtë funksion.

Pretendimet e Muratit janë vlerësuar si të pasakta nga deputetë e PDK-së dhe LDK-së që me profesion janë jurist.

Sipas tyre, zyrtari i VV-së po e ngatërron fillimin e mandatit të deputetit me ushtrimi e plotë të funksioneve parlamentare.

Në profilin e tij në “Facebook”, Murati pretendon se ende nuk është deputet, meqenëse ende nuk është konstituuar Kuvendit.

“Sipas Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, <deputeti llogaritet që fillon të ushtrojë funksionin tek pasi të ketë përfunduar konstituimi i Kuvendit>. (Shih paragrafin 138 të Aktgjykimit, foto më poshtë) Pra, meqenëse seanca konstituive ende s’ka përfunduar, sipas pikës 1 të Konstatimit në Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, deputetët ende nuk janë m’veshur me funksion, dhe rrjedhimisht as nuk kanë mundësi të ushtrojnë funksionin. E pa e ushtruar funksionin, s’mund të ketë as konflikt funksional apo papajtueshmëri sipas Nenit 72 të Kushtetutës”, ka shkruar ai.

Duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme për digjitalizimin e arkave fiskale, ai ka thënë se gjyqtarët e kësaj gjykate janë lëshuar në interpretime kushtetuese.

Kurse paradoksalisht, në vendimin e fundit kundër digjitalizimit të arkave fiskale, tre gjykatësit e Gjykatës Supreme janë lëshuar në interpretime të Kushtetutës, duke thënë se funksioni i deputetit ushtrohet që nga <dita kur çertifikohen rezultatet e zgjedhjeve>, dhe kësisoj kanë argumentuar që ka pasur konflikt funksional (megjithëse ata gabimisht e përdorin shprehjen “konflikt interesi” ngjashëm si disa deputetë të opozitës). Ky interpretim i këtyre tre gjykatësve është në kundërshtim flagrant me atë çfarë ka thënë vetë Gjykata Kushtetuese disa javë më herët. Në vend se të lexonin statuset në Facebook të deputetëve të opozitës, do të mjaftonte që tre gjykatësit e Supremes të lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, që të mos bëheshin horë kaq publikisht me vendime absurde si ky për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Arkat Digjitale Fiskale”, ka shkruar ai.

Reagimet e “opozitës”

I pari që ka reaguar ndaj pretendimeve të Muratit ka qenë deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

Ky i fundit ka vlerësuar se interpretimi i aktgjykimit nga Murati është krejtësisht i pasaktë.

Ky interpretim i aktgjykimit është krejtësisht i pasaktë për arsyet në vijim: 1. Neni 70, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se: “Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes”. Paragrafi vijues i këtij neni, paragrafi 3, përcakton: “Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: (1) nuk bën betimin (...)”. Pra, mosdhënia e betimit mund të jetë shkak për të humbur mandatin, por ai nuk fillon me betim, por me certifikim. Fakti se Kushtetuta thotë se mandati humbet ose bëhet i pavlefshëm nëse nuk bëhet betimi, do të thotë që ai tashmë ka filluar”, ka shkruar Gruda, duke dhënë arsyeje tjera.

2. Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 138, po e sqaron qartë Kushtetutën, por nuk po thotë atë që deputeti Murati mendon se po thotë. Ajo përcaktonj: “(...) ky mandat nuk mund të ushtrohet në mënyrë të plotë pa përmbushjen e kërkesave të paragrafit 3 të po këtij neni, veçanërisht pa dhënien e betimit, i cili është pjesë përbërëse e procesit konstituiv dhe që, po ashtu, realizohet në Seancën Konstituive”. Pra, Gjykata po thotë “nuk mund të ushtrohet në mënyrë të PLOTË”. E saktë – pa u konstituar Kuvendi, deputeti nuk mund të ushtrojë funksionin e plotë, p.sh. nuk mund të votojë ligje, nuk mund të bëjë pyetje parlamentare dhe shumë funksione të tjera. Por mund të kryejë disa funksione edhe pa u konstituar Kuvendi në tërësi, p.sh. të dërgojë kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, sikurse kanë bërë deputetë të AAK-së dhe të tjerë që kanë dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese mbi bazën e së cilës është nxjerrë ky aktgjykim. Nëse nuk do të ishin deputetë, nuk do të pranohej kërkesa për shqyrtim fare nga Gjykata”, ka shkruar ai.

Sipas Grudës, Murati po e ngatërron fillimin e ushtrimit të mandatit dhe ushtrimit të plotë të funksionit.

3. Ka dallim thelbësor midis fillimit të ushtrimit të mandatit dhe ushtrimit të plotë të funksionit. Momentalisht, deputetët janë duke ushtruar vetëm një pjesë të funksioneve të tyre sepse Kuvendi nuk është konstituar ende, por ata janë deputetë, sepse ndryshe as nuk do të kishin mundur të hynin në sallën e Kuvendit. Deputeti Murati ngatërron konceptet si: - fillimi i mandatit, - ushtrimi i pjesshëm i funksioneve, dhe - ushtrimi i plotë i funksioneve parlamentare. Ky ngatërrim çon në një interpretim të gabuar të Kushtetutës dhe të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka vlerësuar se interpretimet e Muratit dhe të qeveritarëve tjerë janë të gabueshme.

Në profilin e saj në “Facebook”, deputetja e LDK-së ka shkruar se të dështosh kaq brutalisht në kuptimin e rolit të parimeve kushtetuese është injorancë e llojit të vet.

Po shoh që këshilltarë politikë të Kryeministrit dhe Ministrisë së Drejtësisë po e akuzojnë Gjykatën Supreme se, duke u kujdesur për mbrojtjen e Kushtetutës, paska shkelur disi Kushtetutën. Eh, çka të them tash unë? Ose - a ia vlen të shkruaj për këtë “fenomen” interpretues? Së pari, Gjykatat e rregullta janë të detyruara të respektojnë dhe zbatojnë Kushtetutën, përfshirë parimet e saj (sikurse në rastin konkret, ndarja e pushteteve)”, ka shkruar ajo, duke treguar detaje tjera.

Në rastet kur Gjykatat e rregullta vlerësojnë se kemi dyshime mbi kushtetutshmërine e ligjeve apo akteve nënligjore, ekziston mundësia e kontrollit incidental, ku, kur një gjykatë e rregullt vlerëson se ka dyshime që një ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, ajo pezullon çështjen dhe kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me ligjin. Ndërkaq, në lidhje me veprimet e palëve, gjykata e rregullt ka të drejtë absolute të japë mendim, sepse ligji dhe gjykatat i nënshtrohen Kushtetutës. Asnjë gjykatë e rregullt nuk lejohet të mos e respektojë Kushtetutën dhe madje ka rol PRIMARË që kjo të mos ndodh. Së dyti, vetë paragrafi i cituar nga këta “interpretues” sqaron se Gjykata Kushtetuese interpreton kushtetutshmërinë e akteve nënligjore dhe ligjeve, dhe jo përputhshmërinë e veprimeve të palëve parashtruese me Kushtetutën. Kjo e dyta është SAKTË rol i gjykatave të rregullta”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Supremja ka bërë këtë analizë në dy shkallë.

Së pari, ka marrë për bazë parimin kushtetues të pamundësisë së ushtrimit të dy funksioneve (ekzekutiv dhe legjislativ) paralelisht; dhe së dyti, ka interpretuar LIGJIN për Qeverinë, i cili ndalon në mënyrë të qartë vazhdimin e punës në ekzekutiv pas certifikimit si deputet. Pra ka bërë dhe interpretim LIGJOR, jo vetëm Kushtetues. Apo këta “interpretues” duan të thonë se ligji që e kanë miratuar VET qenka jokushtetues? Sipas kësaj logjike të këtyre “interpretuesve”, sërish të çakorduar, del që as veprimet jokushtetuese të shtetit apo mekanizmave shtetërorë nuk mund të adresohen në gjykatat e rregullta. Për shembull, e drejta në pronë si e drejtë kushtetuese, sipas kësaj logjike, duhet kërkuar vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Ose, e drejta për jetë nuk duhet të shkojë fare në procedurë penale, sepse qenka parim kushtetues. Të dështosh kaq brutalisht në kuptimin e rolit të parimeve kushtetuese dhe domosdoshmërisë që ligjet të ofrojnë detajim shtesë për mbrojtjen e atyre parimeve, përmes mekanizmave të rregullt gjyqësor, është injorancë e llojit të vet. Mosni, bre!”, ka vlerësuar ajo.

Lajme të ngjashme