“Mungesë elementare e dijes”: Statuset qesharake të deputetëve Statovci dhe Rrustemi kritikohen ashpër
Liberalizimi i vizave dhe njohja e pasaportave të Kosovës nga Spanja janë dy lajmet e mira që kanë marrë kosovarët në fillim të këtij viti.
Ky gëzim mori përmasa tjera kur pushteti filloi t`i marrë meritat për këto dy çështje. Kjo u bë edhe qesharake ky dy deputetë të mazhorancës treguan me bindje se kush është meritor për këto çështje.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se liberalizmi i vizave erdhi pasi u larguan qeveritë e korruptuar, ndërsa deputetja Jeta Statovci, deklaroi se meritor për njohjen e pasaportave nga Spanja ishte Gani Jakupi, këshilltari i jashtëm i MPJD-së.
Me këto pretendime të deputetëve të pushtetit shpërthyen edhe talljet.
Ndërsa, analisti Visa Ymeri ka thënë se kjo tregon për mungesën elementare të dijes të këta deputetë.
“Atë që e kemi lexuar për orlin e Gani Jakupit në njohjen e pasaportës nga Spanja dhe qysh liberalizimi i vizave na erdh vetëm pse ka shkuar korrupsioni e korrupsioni paske qenë Isa Musafa, tregon se këta kanë mungesë elementare të dijes për këto proces, a janë deputetë të rëndësishëm në Kuvend të Republikës”, ka thënë Ymeri.
Ai ka kërkuar nga partitë politike që ta ndalin këtë thjeshtëzim të diskursit politik.
“Pra, nëse nuk gaboj deputeti në fjalë e drejton Komisionin për Legjislacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe ky është i bindur se liberalizimi i vizave ka ardh veç pse u largua korrupsioni e korrupsioni qenka luftuar pse janë larguar të korruptuarit e paska ardhë një qeverisje e pakorruptuar në pushtet. Qet sterthjeshtëzim të politikës unë e kisha lut të gjitha partitë politike me ia nisë me e reduktuar”, ka thënë Ymeri.
Çka thanë Rrustemi dhe Statovci?
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, është nervozuar nga ish-kryeministri Isa Mustaf, i cili në një status në profilin e tij në “Facebook” ka shkruar se Qeveria Kurti nuk e ka asnjë meritë për liberalizim të vizave.
Sipas deputetit të VV-së, kushti i vetëm për liberalizim të vizave ka qenë luftimi i korrupsionit.
“Si nuk e paska kuptuar ende Isa Mustafa, se kushti i vetëm real për liberalizimin e vizave ka qenë me shku Korrupsioni, dmth me shku Isa e shpura e tij e me ardhë Vetëvendosja, dmth me ardhë qeverisje e pakorruptuar”, ka shkruar Rrustemi.
Edhe më qesharake ishte treguar deputetja e VV-së, e cila është nga Lista Guxo.
Të shtunën, ditën që Spanja njohur pasaportat e Kosovës, ajo kishte thënë se kjo është meritë e Gani Jakupit, këshilltarit të jashtëm të MPJD-së, i cili paguhet nga 7 mijë e 500 euro në muaj për të lobuar në shtetet e Beneluksit.
Ndonëse Jakupi vet e kishte pranuar se nuk ka dhënë ndonjë kontribut në këtë drejtim, deputetja Statovci ia kishte lënë meritat atij.
“Dikur projekte lobuese milionëshe për ndarjen e Kosovës, sot projekte lobuese për bashkim të Kosovës së pa ndarë me perëndimin. Opozita që dikur paguante për projektin e ndarjes së Kosovës u ngrit në këmbë për pagesën ndaj Gani Jakupit që lobon e ndihmon Republikën në Spanjë. Por, sot pas këtij lajmi a thua çfarë do të thonë. Pra, qenka e mundur të paguhesh nga vendi e t’i shërbesh njëmend atij. Ja një pjesë e rezultatit. Vazhdojmë!”, ka shkruar Statovci.